Nën kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho në një deklaratë për mediet i ka bërë thirrje SPAK-ut që të nxjerrë përpara drejtësisë krerët që qëndrojnë pas skemës së aferës korruptive të inceneratorëve.
Sipas asaj që LSI ka thënë prej disa kohësh tashmë, kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal dhe një skemë kriminale që “nuk mund të ketë kaluar pa aprovimin e kryeministrit Edi Rama.
Deklarata e plotë e nënkryetares së LSI, Erisa Xhixho
Të nderuar qytetarë,
Skandali i inceneratorëve i denoncuar me forcë nga LSI sa vjen e thellohet.
Ai është shembëlltyra më e plotë e qeverisjes së vendit, është prova më e qartë e kapjes së qeverisë nga mafia e plehrave dhe e shndërrimit të qeverisë në shërbëtore të klaneve kriminale të korrupsionit.
Kjo megaaferë ka përlyer emrin e njerëzve të pafajshëm e të pamundur, të cilët paratë që janë qarkulluar në emër të tyre nuk i kanë parë as në ëndërr.
Ky grup i strukturuar kriminal që nuk kursen të gjallë as të vdekur nuk mund të ketë vepruar pa bekimin qeverisë Rama.
• Janë 24 kompanitë fiktive me të cilat janë vjedhur plot 189 milionë dollarë, të cilat janë fonde publike.
• Ndërkohë, ne paguajmë çdo ditë 80 mijë dollarë për kontratat korruptive të Klodian Zotos, i cili ndodhet në kërkim.
Por pavarësisht kësaj, të varfërit shtohen në Shqipëri, ku vetëm një kilometër rrugë kushton 20 milionë euro, ku inceneratorët që nuk kanë djegur një gram të vetëm mbetje deri tani, u kanë kushtuar shqiptarëve miliona euro.
Të varfërit sa vijnë e shtohen në vendin me çmimin më të lartë të naftës në rajon, të certifikuar nga bordi i zhvatjes.
Të varfrit shtohen përditë në Shqipëri, ku qeveria injoron çdo nismë që do të lehtësonte sadopak barrën e krizës së çmimeve.
Të varfrit shtohen përditë në Shqipërinë e miliona turistëve të huaj, ku vetë shqiptarët nuk ia lejojnë dot vetes as një javë pushime.
Të varfrit shtohen sepse nuk kanë pasur as kanë asnjë mbështetje financiare nga kjo qeveri, e cila i braktisi gjatë pandemisë, ndërsa bosët e inceneratorëve shpenzonin miliona euro për udhëtime jashtë vendit.
Prioriteti i vetëm i kësaj qeverie janë një grusht njerëzish që pasurohen përditë në kurriz të qytetarëve të varfër. Sepse kjo është qeveria e përfituesve nga tenderat pa garë e nga koncesionet.
Kjo është qeveria që bekon zhvatjen, evazionin dhe korrupsionin.
Edi Rama është ideatori dhe përgjegjësi kryesor i kësaj skemës kriminale të inceneratorëve. Vetëm me mbështetjen e tij mund të zbatohej një skemë e tillë grabitjeje.
Qeveria e inceneratorëve, e cila vjedh qytetarët që jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, duhet ndalur sot.
SPAK ka në dorë dokumentet, provat dhe besimin tonë. Më shumë se kurrë, SPAK është sot në provë me megaaferën e 30 viteve, sepse askush nuk e pret drejtësinë as nga Edi Rama, as nga Erion Veliaj.
Me reformën në drejtesi, që erdhi si vullnet i të gjithë politikës shqiptare, dhe si mbështetje e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë vendosur fytyrën dhe integritetin e tyre në këtë sistem të ri. Prokuroria Speciale AntiKorrupsion dhe Gjykata Speciale, duhet të ngrihen në nivelin e kërkuar, për t’i treguar forcën e ligjit çdo zyrtari që prek financat publike, pavarësisht se me kë parti është ai.
Drejtësia e re nuk duhet t’i lexojë ligjet, duke i shërbyer qeveritarëve, siç bënte drejtësia e vjetër, sepse ndryshe çdo investim që është bërë për drejtësinë e re barazohet me zero, por vetëm të garantojë mbizotërimin e ligjit mbi çdo gjë tjetër.
SPAK duhet të nxjerrë para drejtësisë krerët e kësaj piramide abuzimi me pushtetin, pa rënë pre e intimidimit prej tij.
SPAK duhet t’u tregojë sot shqiptarëve se drejtësia nuk njeh asnjë pushtet mbi veten!