“The Economist”: Turqia, në prag të diktaturës

The Economist

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO. Ajo luan një rol vendimtar në një rajon shumë të trazuar, sidomos në Sirinë fqinje të shkatërruar nga lufta. Po ashtu, Ankaraja po ushtron ndikim në rritje në Ballkanin Perëndimor, Mesdheun Lindor dhe së fundmi në Afrikë.

Mbi të gjitha, roli i saj është shumë i rëndësishme në Detin e Zi dhe në luftën e Rusisë në Ukrainë. Vitin e kaluar ajo ndihmoi në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për të lejuar eksportin e grurit ukrainas në shumë nga vendet që kishin nisur të vuanin pasojat e urisë.

Për këto arsye, të huajt duhet t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në këtë vend, për të cilat Recep Tayyip Erdogan deklaroi këtë javë se do të mbahen më 14 maj. Aq më tepër që nën drejtimin e presidentit të saj gjithnjë e më të rrëmujshëm, vendi gjendet në prag të katastrofës. Ndërsa zgjedhjet po afrohen, Erdogan mund ta joshet që ta shndërrojë atë që është sot një demokraci me shumë të meta, në një diktaturë të plotë.

Kur u bë për herë të parë kryeministër në marsin e vitit 2003, Erdogan premtoi shumë gjëra për Turqinë. Shekullaristët kishin frikë se ai kishte një axhendë shumë islamike. Por ai dhe partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) nuk kanë arritur shumë në këtë drejtim.

Gjatë viteve të para, qeveria e Erdogan i dha një stabilitet të ri ekonomik dhe politik një vendi të cilit këto i mungonin prej dekadash. Ai mënjanoi nga skena gjeneralët që ishin përzier shumë shpesh në politikë dhe që kishin organizuar grushte shteti. Ai ndërmori disa reforma për të nxitur zhvillimin e shpejtë të ekonomisë.

Madje, ai nisi një proces pajtimi me kurdët, pakica më e madhe etnike e Turqisë, të cilët kishin vuajtur prej kohësh persekutimin e ushtrisë. Në vitin 2005 ai arriti me meritë diçka që nuk e kishin bërë dot të gjithë paraardhësit e tij: hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, ma kalimin e viteve ai është bërë gjithnjë e më shumë autokratik. Pas 11 vitesh si kryeministër, ai u zgjodh president dhe filloi ta shndërrojë atë post më herët të dobët dhe ceremonial në një post dominues. Pas një përpjekjeje për grusht shteti ndaj tij në vitin 2016, ai arrestoi apo pushtoi nga administrata shtetërorë dhjetëra mijëra njerëz, shpeshherë bazuar vetëm tek zërat për lidhjen e tyre me një grupim fetar që fajësohet për komplotin, si për shembull frekuentimi nga fëmijët i njërës prej shkollave të tij.

Erdogan ka uzurpuar vazhdimisht kompetencat e institucioneve të tjera, dhe e ka dëmtuar sistemin e kontrollit dhe balancës midis pushteteve në vend. Ai e ka kthyer pjesën më të madhe të mediave në një mjet të propagandës shtetërore. Ka censuruar internetin, ka futur në burg shumë kritikë të tij, përfshirë liderët e opozitës.

Po ashtu ka mënjanuar rivalët brenda AKP, ka nënshtruar sistemin e drejtësisë, duke përdorur gjykatat për të përndjekur kundërshtarët. Duke iu afruar dekadës së tij të tretë në pushtet, Erdogan banon aktualisht në një pallat gjigant duke i dhënë urdhra oborrtarëve që janë shumë të frikësuar për t’i thënë se kur e ka gabim.

Bindjet e tij gjithnjë e më të çuditshme po shndërrohen me shpejtësi në politika publike. Kështu, ai i ka imponuar Bankës Qendrore Turke, dikur të pavarur, një teori monetare që është pa dyshim mashtruese. Ai mendon se kura për inflacionin është para më e lirë.

Kjo është arsyeja kryesore pse inflacioni në vend është 64 për qind. Po bien standardet e jetesës dhe optimizmi i qytetarëve për të ardhmen. Votuesit, sidomos ata në qytete, po distancohen prej tij.

Tre vjet më parë, partia e Erdogan i humbi zgjedhjet për kryetar bashkie në tre qytetet më të mëdha, Ankara, Stamboll dhe Izmir. Sondazhet sugjerojnë se ai mund të humbasë presidencën në këto zgjedhje në rast se opozita bashkohet pas kandidatit të saj më të mirë dhe zgjedhjet janë pak a shumë të ndershme.

Por kjo është një “nëse” e madhe. Erdogan është i vendosur të anojë dhe më shumë në favor të tij një fushë loje tashmë të pabarabartë. Kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, ndoshta rivali më i fortë i Erdogan, u dënua kohët e fundit me burg dhe iu ndalua përfshirja në politikë, vetëm sepse i quajti “idiotë” zyrtarët e Komisonit Qëndror të Zgjedhjeve që e anuluan fitoren e tij të parë në zgjedhjet lokale.

Qeveria po i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të nxjerrë jashtë ligjit Partinë Demokratike Popullore (HDP), partia më e madhe e pakicës kurde në vend, shumica e drejtuesve të së cilës ndodhen tashmë në burg. Gjykata i ka ngrirë llogaritë bankare të HDP-së. Nëse dëshiron të rrëzojë presidentin turk, opozita kryesore do të ketë nevojë edhe për mbështetjen e votuesve kurdë.

Dikur Erdogan e krahasoi demokracinë me një udhëtim me tramvaj:kur arrin në destinacionin tënd, zbret prej tij. Sipas tij, zgjedhjet në Turqi kanë qenë rrallëherë plotësisht të ndershme, por ato kanë qenë gjerësisht të lira, me një pjesëmarrje të madhe të votuesve turq.

Këtë herë shqetësimi është se ndërsa Erdogan që i frikësohet realisht humbjes, ai po sigurohet të marrë çdo masë paraprake që zgjedhjet të mos jenë as të ndershme dhe as të lira.  Liderët perëndimorë duhet të flasin. SHBA dhe BE shpeshherë kanë ngurruar që ta kritikojnë publikisht Erdoganin nga frika e distancimit të një aleati të rëndësishëm por edhe problematik.

Askush nuk dëshiron që një vend kaq i rëndësishëm sa Turqia të shndërrohet në një shtet plotësisht diktatorial.  Që të gjithë janë të vetëdijshëm se një president turk i indinjuar dhe i izoluar mund të bëjë shumë dëme. Ai mund të nxisë mosmarrëveshje edhe më të ashpra territoriale me Greqinë dhe me Qipron. Mund të krijojë konfuzion dhe përplasje të mëtejshme në Siri.

Mund të lejojë 5 milionë emigrantët dhe refugjatët që ndodhen aktualisht në Turqi që të kalojnë në Evropën Jugore, diçka që shumë prej tyre do ta provonin nëse do të kishin mundësi. Dhe mund të shkojë përtej refuzimit të tij aktual për të marrë anë në luftën e  Ukrainës, pavarësisht se është anëtar i NATO-s, duke vazhduar që të bllokojë pranimin në aleancë të Finlandës dhe Suedisë.

Megjithatë, edhe Turqia ka nevojë për Perëndimin, jo vetëm për të rivendosur njëfarë stabiliteti në ekonominë e saj të goditur rëndë nga kriza. Megjithëse bisedimet e anëtarësimit të saj në BE mund të ngecin, Ankaraja shpreson ende të arrijë një bashkim doganor të përmirësuar dhe të zgjeruar me unionin, që do të nxiste rritjen ekonomike.

Ndërkohë Turqia duhet të gjejë një mënyrë të re për të ringjallur investimet e huaja direkte, të cilat kanë rënë vitet e fundit si pasojë e pasigurisë politike dhe ekonomike. Turqia mbështetet tek teknologjia perëndimore për të përmirësuar produktivitetin e saj të ulët. Dhe ajo dëshiron armët perëndimore, sidomos avionët luftarakë amerikanë.

Dhe nuk do të ishte në gjendje të siguronte asnjë nga këto gjëra nëse Erdogan do t’i kthente përfundimisht shpinën demokracisë dhe do t’i bashkohej “klubit” të diktatorëve. E gjithë kjo i jep atij një nxitje të fortë për të vazhduar të mbajë raporte të ngushta me Perëndimin. Dhe kjo gjë duhet t’u japë fuqi negociuese udhëheqësve perëndimorë.

Erdogan është një lideri shumë agresiv, që e sheh ndrojtjen si një arsye për të krijuar avantazh për vete, dhe ashpërsinë e tij si një nxitje për të ri-dimensionuar marrëdhëniet, siç ka bërë kohët e fundit me shumë nga fqinjët e tij në Lindjen e Mesme.

Për këto arsye, udhëheqësit perëndimorë duhet t’i tregojnë Erdoganit se sa shumë janë të shqetësuar për sjelljen e tij, duke folur para zgjedhjeve, privatisht dhe publikisht, kundër përjashtimit të mundshëm nga skena politike të Imamoglu por edhe partisë kurde HDP. Nuk është ende tepër vonë për ta penguar Erdoganin që ta shndërrojë Turqinë në një diktaturë të plotë. Por Perëndimi duhet që të nisë që ta paralajmërojë atë që tani. /albeu.com


Shtuar 21.01.2023 11:57