Ish-presidenti Hashim Thaçi ka folur edhe njëherë në Gjykatën Speciale në Hagë duke kërkuar respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Thaçi po akuzohet për herë të dytë nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. ZPS e ngarkon atë me vepra që lidhen me ndikimin në dëshmitarë – derisa ai ndodhet në një proces të tejzgjatur gjyqësor për krime të pretenduara të luftës.
Edhe njëherë, Thaçi tha se ai nuk paraqet rrezik në kuptimin politik e as “për ndonjë projekt qeveritar”.
“Pikërisht në këtë fazë të hershme të këtij procesi, për mbarëvajtjen e rregullt kushtetues dhe ligjor që duhet të ndodh, ju e dini para katër vitesh në nëntor 2020 u ngrit aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj para se të rizgjedhësha president i vendit. Tash, para dhjetë ditësh nxitimthi Zyra e Prokurorit prezantoi aktakuzë shtesë vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Dua të sqaroj edhe njëherë, nuk jam pjesë e garës politike e as nuk kam ndonjë ambicie politike as për president as për kryeministër e as për deputet, e as ndonjë ambicie tjetër për pozitë publike. E ritheksoj se nuk jam pengesë e as nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politik e as për ndonjë projekt qeverisës”, tha Thaçi.
Ish-presidenti tha se mosrespektimi i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës e minon demokracinë në vendin e tij.
“Dëshiroj të ritheksoj dhe nënvizoj domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës në këtë sallë. Mosrespektimi i ligjeve të Kosovës dhe normave të tjera ligjore nga palët, në këtë sallë të shenjtë për drejtësinë, paraqet rrezik për minimin e demokracisë në Kosovë, paraqet rrezik për cenimin e besimit qytetar, prandaj ftoj që të ruhet vetëpërmbajtja institucionale nga të gjithë edhe në këtë sallë”, tha Thaçi në konferencën mbi ecurinë e çështjes më 18 dhjetor.
Tutje, gjykatësja Marjorie Masselot vazhdoi me seancën duke treguar procedurat që duhet ndjekur për nxjerrjen e materialeve. Tha se ZPS-ja është në pritje të disa rezultateve forenzike për disa prova që janë marrë gjatë bastisjeve tek Isni Kilaj./kp/