Tezja dhunon mbesën e mitur për sherr prone, si u manipulua ngjarja

Në Dhjetor të vitit të kaluar emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi një rast në Sarandë. Në vitin 2023 një e mitur 13-vjeçare u dhunua nga tezja e saj, pas një konflikti pronësie mes kësaj të fundit dhe të motrës, nënës së vajzës.

Sipas informacioneve të para të policisë, tezja dhunuese u shoqërua atë ditë për agresionin ndaj mbesës së mitur. Por, zyrtarisht në Policinë e Sarandës tezja rezulton kallëzuese, sikur ajo u dhunua nga motra dhe mbesa e saj. Denoncimi i minorenes u mor në darkë vonë, me justifikimin se nuk punonin kompjuterët.

Pasi çështja u ndryshua në polici, ajo kaloi në prokurori ku sipas dëshmive, OPGJ Jonida Zhupa është parë e afërt dhe e ulur në kafe me tezen e akuzuar, në kohën kur po merreshin deklarimet e ngjarjes, ditë më vonë. Pas marrjes në pyetje, 13-vjeçarja u shtrua në Spitalin e Sarandës, ku qëndroi një ditë e shtruar dhe çdo dëmtim u pasqyrua në kartelën e saj mjekësore dhe më pas në akt-ekspertim.Por, OPGJ dhe prokurorja Esmeralda Basho nuk e kanë shoqëruar me foto të dhunës dosjen e ngjarjes. Ish-Drejtori Policisë Shkencore Vladimir Ikonomi shpjegoi, se çdo akt ekspertimi i çdo lloj natyre duhet të jetë i shoqëruar me foto.Menjëherë pas transmetimit të këtij rasti, prokurorja Esmeralda Basho e dërgon në gjyq çështjen, pa mbyllur mirë hetimet. Nga verifikimet e emisionit “Stop”rezulton se kjo prokurore nuk është e specializuar për çështjet me të mitur, në një kohë, që ka të tjerë prokurorë në Sarandë të specializuar në këto raste.

“Por, shumë e rëndësishme është një akt ekspertimi që të jetë i besueshëm, që të jetë konkret për palët që do e marrin prokurorin, gjyqtarin apo avokatin duhet që rezultati të konkretizohet tek tabela fotografike. Në rastet kur nuk e ka këtë konkretizim tek tabela fotografike, që konkretizon punën e ekspertit, mungon lënda e parë. Nuk mund të kryejmë një riinspektim kur mungon lënda e parë”, tha eksperti.

Nga ana tjetër, prokurorja Basho ka eliminuar edhe dëshmitarët. Për një zonjë dëshmitare okulare në ngjarje, prokurorja deklaron në gjyq se ky person nuk figuron apo ekziston fare, person që është gjetur nga emisioni “Stop”.

Gazetari: Ju jeni dëshmitare okulare në një ngjarje, por prokuroria thotë që nuk ekzistoni fare si person.

Dëshmitarja okulare, Aida Shaga: Nuk di gjë fare unë…

Gazetari: E di që nuk dini gjë se nuk iu ka njoftuar njeri.


Shtuar 29.04.2025 21:55