Terrorizoi Korçën duke qëlluar me armë nga ballkoni, lirohet nga qelia Edmond Naska

Gjykata e Korçës ka liruar nga burgu 71-vjeçarin Edmond Naska, i cili tre ditë më parë “terrorizoi” banorët e lagjes nr. 16 në qytetin juglindor duke qëlluar disa herë me armë zjarri automatik nga ballkoni i apartamentit të tij në katin e parë të një pallati.

Ndaj Edmond Naskës është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe këtë vendim gjykata e ka marrë për shkak të moshës së tij, por edhe prej faktit se 71-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Edmond Naska pasi qëlloi me automatik, u mbyll në banesë dhe bëri rezistencë për rreth 2 orë duke kërcënuar efektivët e Policisë se do të qëllonte sërish.

U desh ndërhyrja e forcave RENEA për ta neutralizuar dhe arrestuar, duke i shkallmuar kangjelat e dritareve.


Shtuar 19.07.2024 11:01