Tërmeti tre vjet më pas, rindërtimi në vorbullën e shifrave

Është e vështirë sot të bësh një panoramë të plotë të procesit të rindërtimit tre vjet nga nisja e tij pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019.

Përmasat e këtij procesi e bënë të vështirë zbatimin dhe koordinimin institucional, ndërkohë që transparenca në shumë raste është bërë objekt kritikash.

U angazhuan institucione të tëra në nivel qendror dhe vendor, ndërkohë që ndërhyrjet ishin të kategorive të ndryshme, duke nisur nga rikonstruksionet e vetë qytetarëve për dëmtimet më të lehta te rindërtimi nga e para për disa objekte të reja.

Pjesa më komplekse ishin zonat e reja të zhvillimit, të cilat janë shtrirë në disa prej bashkive të prekura si Durrësi, Tirana, Kurbini, Vora, Kruja. Për të koordinuar të gjithë punën e lidhur me rindërtimin, fillimisht do të kishte një ministri të veçantë që do të angazhohej, që ishte Ministria e Shtetit për Rindërtimin.

Thuajse gjatë gjithë periudhës së funksionimit të saj, kjo ministri nuk bëri në asnjë moment, një bilanc shterues mbi ecurinë nga fillimi deri në momentin e fundit, kur këto detyra i kaluan zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sot, nëse do të kërkosh në shifra sa familje nga ato mijëra të prekura kanë hyrë në banesën e tyre të re dhe sa prej tyre janë ende në pritje të përfundimit, ajo që do të hasësh është paqartësia.

Në disa prej Bashkive, procesi ka ecur më shpejt e në të tjera, më ngadalë. Sigurisht kjo lidhet me përmasat e dëmit dhe rindërtimit që duhet të bënte secila, fondeve në dispozicion, ngadalësimit që solli situata e pandemisë, apo edhe problematikave të tjera të koordinimit.

Gjithsesi, fakt është që sot, ende disa prej bashkive janë me kantiere të hapura, duke ndërtuar në funksion të procesit dhe me shpresën se viti 2023, do të jetë kapitulli i fundit që do të shënojë mbylljen dhe hyrjen në banesa të banorëve që ende janë rrugëve.

Për vitin 2023, buxheti ka planifikuar 5 miliardë lekë në zërin e Fondeve të Rindërtimit, teksa nga janari 2020 deri në shtator 2022, nga buxheti janë shpenzuar 59.9 miliardë lekë, apo 497 milionë euro në funksion të këtij procesi.

Bashkia e Durrësit: 130 milionë euro për procesin, mbyllet në pranverë 2023

Bashkia më e prekur në vend nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 ishte ajo e Durrësit. Dëmet ishin të shumta dhe të kategorive të ndryshme, çka bëri që edhe procesi i rindërtimit të ishte më intensiv. Për shkak të dimensioneve që kanë zonat e reja të zhvillimit, sidomos Spitalla, ende në një pjesë të mirë të loteve po punohet aktivisht.

“Për sa i përket rindërtimit në zonën e Spitallës: Projekti është i ndarë në 7 lote. Aktualisht po punohet për të gjitha lotet. Loti i parë, ku janë gjithsej 15 pallate dhe 156 apartamente në fazë rifiniturash.

Në tre lotet e tjera janë në fazën konstruksion betonarme dhe ndërtim murature, janë 40 godina dhe 444 apartamente. Në tre lotet e tjera jemi në fazën konstruksion themeli, plus strukturë janë 30 godina dhe 396 apartamente.

I gjithë siti i ri do të ketë 85 pallate të reja 4-katëshe me 996 apartamente gjithsej. Qëllimi është që punimet të përfundojnë brenda pranverës së vitit 2023”, – konfirmoi zyrtarisht Bashkia e Durrësit.

Ajo deklaroi se gjithashtu ka përfunduar një numër i konsiderueshëm objektesh arsimore, që tashmë janë në funksion të plotë. Në total, nga buxheti për procesin e rindërtimit dedikuar Bashkisë së Durrësit janë çelur rreth 130 milionë euro fonde.

“Në bazë të vendimeve të Këshillit të Ministrave, fondet që i alokohen Bashkisë së Durrësit si njësi zbatuese për rindërtimin duke filluar nga viti 2020 e deri më sot janë 15 612 713 714 lekë. Nga këto janë çelur në thesar për 9 630 89 5548 lekë. Brenda vitit 2023 duhen çelur edhe diferenca prej 5 981 818 166 lekësh që të mbyllet financimi i plotë i Vendimeve të Këshillit të Ministrave, që ngarkojnë Bashkinë si njësi zbatuese”, – nënvizon Bashkia.

Tirana, zonat rurale ecën më shpejt, “5 Maji” dhe “KombinArt” ende punë para

Për Tiranën, procesi i rindërtimit sa u takon zonave të reja të zhvillimit u nda në pjesën rurale dhe atë urbane në zemër të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës, e cila do të ishte vetë institucioni që udhëheq procesin në rang qarku, do të kishte detyrën e kryerjes së procedurave të nevojshme për rindërtimin.

Për gjithë Qarkun e Tiranës, të dhënat treguan se ishin 2 mijë objekte të dëmtuara, ku mbi 400 shtëpi ishin private dhe në kushte të pabanueshme. Lidhur me godinat shumëkatëshe rezultoi se ishin të paktën 202 pallate të dëmtuar, ku të paktën 67 ishin të kategorizuar DS5 dhe duhej të shembeshin.

Procesi i rindërtimit në zonat rurale, në këto tre vite, duket se eci më shpejt, ku tashmë një pjesë e mirë e banorëve kanë marrë çelësat shtëpive individuale. “5 Maji”, nga ana tjetër, dhe “KombinArt”, edhe për hir të përmasave, janë ende në punime e sipër.

Deri më tani për zonën e “5 Majit” kanë marrë apartamente të paktën 58 familje, por numri i atyre që janë në pritje është shumë më i madh. Vetëm në këtë zonë synohet që të strehohen 11 mijë banorë, ndërkohë që parashikohen 3500 apartamente. Një pjesë e apartamenteve të përfunduara pritet që të shpërndahet përmes shortit në fund të këtij viti, para festave, sikurse ka ndodhur edhe më herët në raste të tjera.

Për zonën e Kombinatit, ndërtesat shumëkatëshe që po ndërtohen, do të jenë streha e 21 mijë banorëve të rinj, sikurse është deklaruar nga Bashkia.

Lidhur me zonat rurale për Tiranën, tashmë kanë përfunduar zona e Zall – Herrit, lagjja e re në Ndroq e Vaqar. Punimet janë ende aktive për zonën e Pezës. Për zonat rurale, Bashkia e Tiranës ka ndërtuar në total rreth 500 banesa.

Përtej deklaratave dhe vizitave nëpër kantiere, sot askush nuk di të thotë një shifër totale të atyre që tërmeti i la pa një çati mbi kokë dhe që viti 2023 do t’i gjejë me një të tillë në bashkinë më të madhe në vend.

Revista “Monitor” kërkoi pranë Bashkisë së Tiranës informacion mbi ecurinë e procesit në datë 31 tetor 2022, por deri në datën 25 nëntor, në redaksi nuk erdhi asnjë përgjigje.

Shijaku thuajse në fund të procesit, 802 familje me banesa të reja

Bashkia e Shijakut nuk u shpëtoi gjithashtu pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2022. Procesi i rindërtimit, në fund të tre viteve e gjen këtë bashki me apartamente të përfunduara për të paktën 802 familje.

Në javën e parë të nëntorit, Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ndoqën nga afër ecurinë e punimeve ku deklaruan se tashmë rindërtimi për Shijakun parashikohet të mbyllet në fund të këtij viti.

“Të paktën 87% e punimeve ka të bëjë me banesat, ndërsa 13% është për infrastrukturën. Tashmë është prokuruar pjesa e infrastrukturës dhe ne shpresojmë që, deri në fund të dhjetorit, të jetë e përfunduar”, – tha Balluku.

Në të paktën 31 pallate të reja, Bashkia e Shijakut strehon 637 apartamente, duke çuar në total familjet me banesa të reja në 802.

Bashkisë së Kurbinit i bie ritmi i rindërtimit

Bashkia e Kurbinit, të paktën për zonën 1 në Laç, mbylli në fillim të vitit 2022 ndarjen e çelësave të apartamenteve. Zona e re e zhvilluar erdhi si ndihmë e shtetit turk dhe u menaxhua nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë, ku u ndërtuan 522 apartamente.

Kjo ishte edhe zona që eci më shpejt sesa të gjithë projektet e tjera të rindërtimit në vend, nëse i referohemi pjesës së ngritjes nga zero të një zone. Ndërkohë, pjesa e dytë e rindërtimit e menaxhuar nga pala shqiptare, që përfshinte gjithashtu strehimin e 200 familjeve të tjera, godinën e re të Bashkisë së Kurbinit, si dhe disa elemente të tjera plotësuese ka ecur me ritme më të ngadalta.

Bashkia, tek-tuk, ka informuar lidhur me rindërtimin e shkollave apo projekteve të tjera të lidhura me pasojat e pas tërmetit, por nuk ka bërë të qartë se kur do të jetë i mbyllur gjithë procesi.

Në një sërë dokumentesh të miratuara në mes të këtij viti, ku ndër të tjera një kërkesë për shpronësim apo shkëmbim prone për interes publik, në funksion të zonës 1/2, si dhe plani i detyruar vendor, jepeshin detaje mbi zbatimin e fazës së dytë të rindërtimit.

Në faqen e Bashkisë, ndërkohë nuk ka të rifreskuar informacion mbi ecurinë e plotë të procesit për fazën e dytë./Monitor

 

 


Shtuar 3.12.2022 07:42