Tërmeti me mbi 630 viktima në Marok, Begaj: Ngushëllime familjeve të prekura nga tragjedia

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas tërmetit tragjik në Marok, i cili i ka marrë jetën 632 personave deri më tani.

Kreu i Shtetit i shprehu ngushëllimet familjeve të prekura nga kjo tragjedi.

“Zemërthyer nga tërmeti i tmerrshëm që goditi Marokun. Ne qëndrojmë me popullin e Marokut dhe u dërgojmë ngushëllimet tona të sinqerta familjeve të prekura nga kjo tragjedi”, shkroi Presidenti Begaj në “X”.

Numri i viktimave pas tërmetit në Marok rritet në mbi 600 vetë(e shtunë në mëngjes) Spitalet në Marakesh kanë njoftuar për “fluks masiv” të të lënduarve.

Tërmeti dëmtoi rëndë qytetin e vjetër Marakesh, një trashëgimi e kulturës botërore të UNESCO-s. Pamjet dhe videot në mediat sociale tregojnë ndërtesa të shkatërruara.

Qytetarët vraponin në panik dhe e kaluan natën jashtë. Rrjeti elektrik për një kohë të caktuar ishte jashtë funksionimit. Tërmeti u ndje edhe në qytetet bregdetare Rabat, Casablanca Dhe Saouira, në Algjeri dhe deri në Portugali.

Epiqendra e tërmetit në orën 00:11 ndodhej në malësitë e Atlasit, 18,5 kilometra në thellësi, 70 km larg Marrakeshit.

 


Shtuar 9.09.2023 09:58