Tërmeti godet edhe Turqinë, raportohet për viktima

Një tërmet me magnitudë 5.8 ballë i shkallës Rihter, goditi natën mes ishullit të Rodosit dhe bregdetit të Turqisë, duke shkaktuar panik dhe dëme materiale.

Lëkundjet u ndjenë rreth orës 02:17 dhe zgjatën për disa sekonda, ndërsa mediat greke raportojnë se nuk ka dëme në njerëz, vetëm dëmtime të vogla në infrastrukturë.

Banorët dhe turistët në Rodos, u alarmuan nga lëkundjet e forta dhe dolën nga hotelet për t’u siguruar.

Ndërkohë, autoritetet lokale kryen kontrolle të shpejta në zona të ndryshme për të vlerësuar situatën.

Në Turqi situata ka qenë më e rëndë. Tërmeti i fuqishëm u ndje në qytete si Mugla, Izmir, Antalia dhe Manisa, duke shkaktuar panik masiv.

Një vajzë 14-vjeçare humbi jetën nga një sulm paniku, ndërsa 69 persona të tjerë u plagosën duke u hedhur nga ndërtesat në frikë për jetën e tyre.

Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, shprehu ngushëllimet për viktimat dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit në këto momente të vështira.

Tërmeti ka tronditur fort zonën, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë kontrollet dhe ndihmën për banorët e prekur.


Shtuar 3.06.2025 12:51