Tërmetet në Santorini/ IGJEUM: Nuk ndikojnë në Shqipëri!

Tërmetet që prej më shumë se një jave po godasin Santorinin në Greqi nuk kanë ndikim të drejtpërdrejt në territorin shqiptar. Shpjegimi vjen nga sizmiologu Edmond Dushi nga Instituti i Gjeoshkencave i cili thotë se i gjithë rajoni është vazhdimisht aktiv me kulmet e tij si pasojë e pllakave tektonikë që ndërthuren me njëra –tjetrën.

“Nuk është se tërmetet e Santorinit na impaktojnë ne në territorin shqiptar. Jo për shkak të distancës, por dhe natyrës që ata kanë. Por natyrisht i gjithë rajoni është aktiv dhe territori i Shqipërisë është aktiv vazhdimisht. Ka një intensitet mikrotërmetesh. Dhe kjo na bën të mendojmë se i gjithë rajoni është në një lëvizje tektonike. Si aktiviteti në territorin e Shqipërisë dhe ai në Santorini është pasojë e kësaj lëvizje dhe jo ndikim i drejtpërdrejtë nga njëri tjetri.

Kemi një numër pllakash tektonike në këtë rajon që ndërthuren me njëra -tjetrën. Konkretisht flasim për pllakën Afrikane në harkun e Egjeut, një hark ishullor vullkanik është dukuri e shprehur nën futja e saj në pllakën Euroaziaktike dhe këtu bëhet fjalë për aktivitetin në Santorini. Sa i përket aktivitetit në territorin e tjera përfshirë Shqipërinë që ka akumulim normal dhe mikropllaka e Adrias është e lidhur ngushtë më lëvizjen e pllakës Afrikane dhe lëvizjeve të tjera qe ndodhin”, pohoi Dushi.

Ndryshe nga sa po ndodh në ishullin në Egje përfshirë nga një grup tërmetesh me magnitudë mbi mesataren specialistët thonë se Shqipëria është në kushtet e një aktiviteti sizmik normal. Lëkundje toke që mund të ndjehen pak pranë qendrës së goditjes më të shprehura janë në veri të vendit.

“Zonat më të spikatura janë dhe në veri, Pukë, midis Pukës dhe Fushë Arrëzit, Kukës, Kosovë, Maqedoni, pjesa verilindore dhe lindore ka pas aktivitet të shprehur, më pak pjesa perëndimore. Nuk përbën shqetësim. Flasim për tërmete të vegjël nën 3 të shkallës rihter. Mikrotërmete që ose ndjehen shumë pak ose nuk mund të ndjehen në zona të caktuara…”, tha ai.

Goditja e Santorinit në Greqi nga tërmete të shpeshtë me energji të moderuar sipas sizmologëve dëshmon potencialin e lartë në këtë zonë. Ndërsa mikrotërmetet që stacionet regjistrojnë në vendin tonë tregojnë se aktualisht nuk ka vend për shqetësim.


Shtuar 7.02.2025 16:56