SPAK ka përfunduar hetimet për një grup të strukturuar kriminal dhe ka dërguar për gjykim 6 persona të dyshuar për vepra të rënda penale si, tentativë vrasjeje ndaj Durim Bamit dhe Ervin Kodrës, trafik droge dhe tregti armësh.
Bëhet fjalë për Albert Zajën, Edison Mucekun, Elvis Ndrecën, Armando Ndrecën, Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli.
Albert Zaja – akuzohet se më 4 nëntor 2020 tentoi të vriste me armë Durim Bamin dhe Ervin Kodrën në Fushë-Krujë. Ai akuzohet gjithashtu për përgatitje vrasjesh, mbajtje armësh dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
Edison Muceku – i arrestuar në Britani dhe ekstraduar, akuzohet për përgatitje për vrasjen e Hamza Terziut dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
Elvis Ndreca – i dyshuar për përgatitjen e një atentati ndaj Durim Bamit.
Armando Ndreca – akuzohet për organizim dhe financim të një grupi që prodhoi dhe shiti 243 kg kanabis në Lezhë.
Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli – akuzohen për tregti të paligjshme armësh në periudhën 2020–2021.
Në të njëjtin dosje, SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes për Silvio (Roland) Cara dhe Elmir Tufa, të cilët ishin hetuar si të përfshirë në vrasjen e Shkëlzen Kastratit më 1 shkurt 2021 në Fier.