Jo vetëm nga toka dhe uji, por emigrantët shqiptarë kanë tentuar që të ikin drejt Mbretërisë së Bashkuar edhe nga ajri.
Së fundmi është publikuar nga mediat britanike rasti i një avioni të vogël që ka transportuar 4 emigrantë të paligjshëm shqiptarë nga Belgjika në një aerodrom të vogël në Corby.
Shqiptarët, 3 burra dhe 1 grua, u kapën në një parkim në Phoenix disa minuta më vonë. Edhe shoferi i makinës, Vijayakumar Sivakumar, 43 vjeç, që i transportonte ata nga aerodromi është arrestuar dhe akuzohet për dhënie ndihme për hyrjen e emigrantëve të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Piloti Richard Styles, 53 vjeç dhe Silvano Turchet kanë pranuar fajësinë në ngjarje. Por në ngjarje dyshohet se është përfshirë edhe një person tjetër i njohur si “Tim K”, i cili mendohet se është kreu i bandës.
Emri i tij i vërtetë sipas mediave britanike është Kujtim Karanxha dhe ai është zhdukur ditën e fluturimit dhe që prej atëherë nuk është bërë i gjallë.
Sipas mediave, shoferi Sivakumar ka pasur 170 komunikime me Kujtim Karanxhën 50 ditë para arrestimit. Ai e kishte takuar Karanxhën në vitin 2020 me një taksi nga një kompani dhe pas këtij udhëtimi kishte bërë rregullisht udhëtime me të nga stacioni i Cholliers Wood deri në rrugën St James në Coydon.
Gjykata ka dëgjuar se Sivakumar kishte përdorur llogarinë e tij bankare për të transferuar disa shuma të mëdha parash ndaj të afërmve të Karanxhës pasi ky i fundit nuk ka pasur llogari të veten.
Po ashtu ai ka marrë para cash nga Karanxha ndërsa ishte në një qendër emigrantësh në Gatwick. Pas arrestimit, në celularin e 43-vjeçarit u zbuluan foto të ndryshme të disa pronave në Londër./Albeu.com/