Tensionet Rusi-Ukrainë: NATO dërgon përforcime në Evropën lindore, SHBA vë 8,500 trupa në gatishmëri

NATO-ja tha të hënën se ka vënë në gjendje gatishmërie trupat e saj dhe po dërgon anije dhe avionë luftarakë në Evropën Lindore, ndërkohë që Pentagoni tha se ka vënë deri në 8,500 trupa në gatishmëri për dislokim të mundshëm në Evropë, nëse aleanca e NATO-s aktivizon një forcë të reagimit të shpejtë.

Njoftimi nga Pentagoni, i bërë i ditur nga zëdhënësi John Kirby, është sinjali më i fundit i vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara në kushtet e grumbullimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën.

Zoti Kirby qartësoi se ende nuk ishte marrë një vendim nëse do të dërgoheshin trupat.

NATO-ja denoncoi Rusinë për përshkallëzim të tensioneve në lidhje me krizën në Ukrainë. Zyrtarët e NATO-s gjithashtu thanë se aleanca mund të dërgonte trupa shtesë në krahun e saj juglindor.

Duke përshëndetur një sërë dislokimesh të njoftuara nga anëtarët e aleancës ditët e fundit, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se aleanca e NATO-s do të marrë “të gjitha masat e nevojshme”.

Vendimi është një shenjë e mëtejshme se Perëndimi po përgatitet për një sulm të Rusisë mbi fqinjin e saj, pasi Moska grumbulloi rreth 100,000 trupa në kufirin me Ukrainën.

“Ne gjithmonë do t’i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes sonë kolektive”, tha zoti Stoltenberg përmes një deklarate.

Ai më vonë tha në një konferencë shtypi se aleanca e NATO-s mund të dërgojë përforcime shtesë në rajon.

“Ne po shqyrtojmë gjithashtu dërgimin e njësive të tjera luftarake… në juglindje të aleancës”, tha zoti Stoltenberg.

NATO-ja tani ka rreth 4,000 trupa në batalione shumëkombëshe të dislokuara në Estoni, Lituani, Letoni dhe Poloni, të mbështetura me tanke, njësi të mbrojtjes ajrore dhe njësi të inteligjencës dhe survejimit.

Rusia ka mohuar akuzat se po planifikon pushtimin e Ukrainës. Por, pasi shkaktoi krizën duke e rrethuar Ukrainën me forca nga veriu, lindja dhe jugu, Moska tani po përdor reagimin e Perëndimit si provë për të mbështetur argumentin e saj se Rusia është vënë në shënjestër dhe nuk është ajo që nxit agresionin.

Zyrtarët amerikanë thanë se Pentagoni po përfundonte përpjekjet për të identifikuar njësi specifike që mund të dislokonte në krahun lindor të NATO-s.

Një zyrtar amerikanë tha se deri në 5,000 trupa mund të dislokohen, ndërsa një diplomat i NATO-s tha se Uashingtoni po shqyrtonte transferimin gradual të një pjese të trupave amerikane nga Evropa Perëndimore në atë Lindore në javët e ardhshme.

Presidenti amerikan Joe Biden do të zhvillojë një video-konferencë me udhëheqësit evropianë më vonë të hënën, si pjesë e koordinimit me aleatët për t’iu përgjigjur grumbullimit të forcave të Rusisë në kufijtë e Ukrainës, tha Shtëpia e Bardhë.

TENSIONET NE RRITJE

Danimarka, Spanja, Franca dhe Holanda po planifikojnë ose po shqyrtojnë dërgimin e trupave, avionëve dhe anijeve ushtarake në Evropën Lindore, tha NATO-ja. Ukraina ndan kufijtë me katër vende të NATO-s: Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë dhe Rumaninë.

Një zyrtar polak tha se Varshava nuk do të dërgonte trupa në Ukrainë.

E shqetësuar për situatën, Britania tha se po tërhiqte një pjesë të personelit nga ambasada e saj në Ukrainë, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara thanë se kishin urdhëruar anëtarët e familjeve të diplomatëve të largoheshin. Diplomatët amerikanë po lejohen gjithashtu të largohen vullnetarisht.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov akuzoi Perëndimin për “histeri” dhe nxjerrje të informacioneve “të mbushura me gënjeshtra”.

“Sa i përket veprimeve specifike, ne shohim deklarata të Aleancës së Atlantikut të Veriut rreth përforcimit, tërheqjes së forcave dhe burimeve në krahun lindor. E gjithë kjo çon në faktin se tensionet po rriten,” tha ai.

“Kjo nuk po ndodh për shkak të asaj që po bëjmë ne. E gjithë kjo po ndodh për shkak të asaj që NATO-ja dhe SHBA-ja po bëjnë dhe për shkak të informacionit që po përhapin”, tha Dmitry Peskov.

Tregjet globale të aksioneve ranë nga perspektiva e një sulmi rus. Rubla arriti nivelin më të ulët në 14 muaj kundrejt dollarit dhe aksionet ruse ranë gjithashtu.

Rusia ka përdorur grumbullimin e trupave të saj për të tërhequr Perëndimin në diskutime pasi ka paraqitur kërkesat për të riformatuar hartën e sigurisë së Evropës. Ajo dëshiron që NATO-ja të mos pranojë kurrë Ukrainën si anëtare të saj dhe të tërheqë trupat dhe armët nga vendet ish-komuniste të Evropës Lindore që iu bashkuan pas Luftës së Ftohtë.

Uashingtoni thotë se këto kërkesa nuk janë pikënisje për bisedime, por është gati të diskutojë ide të tjera mbi kontrollin e armëve, vendosjen e raketave dhe masat e ndërtimit të besimit.

Rusia po pret një përgjigje me shkrim këtë javë nga Shtetet e Bashkuara pasi bisedimet të premten e kaluar – raundi i katërt këtë muaj – nuk dhanë ndonjë përparim.

“E DHIMBSHME, E DHUNSHME DHE E PËRGJAKSHME”

I pyetur nëse mendonte se një pushtim ishte i pashmangshëm, kryeministri britanik Boris Johnson u tha gazetarëve se inteligjenca ishte “shumë e zymtë në këtë pikë” por se “logjika ende mund të mbizotërojë”.

Ai përsëriti paralajmërimet perëndimore se pushtimi i Ukrainës do të ishte “i dhimbshëm, i dhunshëm dhe i përgjakshëm” për Rusinë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të kujdesshëm ndaj synimeve të Rusisë që kur ajo pushtoi Krimenë dhe mbështeti separatistët në Ukrainën lindore në vitin 2014, i kanë thënë Rusisë se do të përballet me pasoja të forta nëse sulmon sërisht.

Në takimin e tyre në Bruksel, ministrat e jashtëm të BE-së paralajmëruan Rusinë se do të përballej me pasoja “të rënda” nëse sulmon Ukrainën, por janë të ndarë rreth asaj se sa të ashpra do të jenë masat ndaj Moskës dhe nuk dhanë hollësi në lidhje me ato.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i tha presidentit të BE-së Charles Michel me telefon se ishte e rëndësishme për Kievin që BE-ja të tregojë unitet.

“Ukraina nuk do të bjerë në provokime dhe së bashku me partnerët e saj do të qëndrojë e qetë dhe e përmbajtur”, tha zyra e presidentit.

Komisioni Evropian, propozoi një paketë ndihmash financiare prej 1.36 miliardë dollarësh për të ndihmuar Ukrainën të zbusë efektet e konfliktit me Rusinë.

Një burim i delegacionit rus tha se këshilltarët politikë nga Rusia, Ukraina, Franca dhe Gjermania do të takohen në Paris të mërkurën për bisedime mbi zgjidhjen e konfliktit në Ukrainën lindore, ku që nga viti 2014 janë vrarë rreth 15,000 njerëz. Përpjekjet e mëparshme nuk kanë arritur të japin ndonjë përparim.

Disa vende, duke përfshirë Francën, Norvegjinë dhe Letoninë, kanë paralajmëruar qytetarët e tyre kundër udhëtimeve jo thelbësore në Ukrainë.


Shtuar 24.01.2022 22:32