Tensionet në Kuvend/ Xhaferaj apel Spiropalit: Rikthe dialogun, situata e krijuar i shërben vetëm propagandës së socialistëve

Këtë të enjte, seanca plenare ka nisur me tensione dhe debate të forta. Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj, ka kundërshtuar situatën e krijuar në Kuvendin e Shqipërisë, për të cilën theksoi se nuk i shërben as shqiptarëve dhe as opozitës.

Gjithashtu, Xhaferaj theksoi se kaosi në Parlament i shërben vetëm mazhorancës, e cila nuk dëshiron e as lejon opozitën që të kryejë detyrën e saj.

Mes të tjerash, deputeti demokrat nënvizoi se moslejimi i ushtrimit të detyrës për opozitën në prag fushate elektorale, penalizon këtë të fundit dhe i shërben propagandës së socialistëve.

“Jemi në Kuvendin e Shqipërisë, në institucionin nga ku burojnë të gjitha pushtetet e tjera që nënkupton buron e një përgjegjësi shuëm e madhe. Ju lutem kolegë, kujt i shërben kjo situatë konfliktuale? Kujt i shërben kjo sherrnajë, Shqipërisë jo e jo, opozita është e detyruar të ndodhet në këtë situatë sepse për interesa elektorale nuk ka si i shërben një opozite që në këto momente duhej të mendonte për t’u kthyer në alternativë.

Juve si mazhorancë, patjetër që iu shërben dhe pse? Keni 3 vite që nuk qeverisni, prodhoni skandale, me inceneratorët, shëndetësinë, bujqësinë, skandal me “5D” dhe është fare e natyrshme që në vend që ky parlament të diskutonte për këto skandale, të përfshihet në këtë sherrnajë. Ju shërben ju si mazhorancë se bërtisni lartë e poshtë për shifra të larta të turzimit, ku në të vërtetë i vetmi me rritje në këtë vend, është emigracioni, janë shqiptarët që nga çdo kategori, shtresë e jetës largohen nga ky vend”, u shpreh Xhaferaj.

Më tej, ai iu drejtua kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropalit, duke i kërkuar të rivendosë dialogun mes palëve dhe jo të japë urdhra ndaj Gardës.

“Zonja kryetare keni ardhur në detyrën e Kryetares së Kuvendit dhe nuk është misioni juaj të riktheni Gardën. Misioni juaj është të rivendosni dialogun dhe ju lutem kthehuni në ushtrimin e detyrave tuaja”, tha ai.

Nga ana tjetër, Spiropali iu përgjigj duke thënë se situata e krijuar nuk i shërben as mazhorancës, por vetëm disa njerëzve që nuk duan që kuvendi të funksionojë siç duhet.


Shtuar 17.10.2024 11:33