Ditën e sotme, kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi hodhi rregulloren e Kuvendit në drejtim të kryeministrit Edi Rama, pasi mazhoranca mori vendimin për të miratuar programin dhe kabinetin e ri qeveritar pa diskutime në seancë.
Programi i qeverisë dhe kabineti morën 82 votat e deputetëve të PS, ndërsa seanca plenare u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, pasi opozita bllokoi foltoren, duke penguar zhvillimin e debateve parlamentare.
“Fjalën e ka kryeministri Edi Rama me vazhdimin e prezantimit të programit. Kreu i Grupit të PS-së kishte propozim jo procedurë”, u shpreh kryeparlamentari Niko Peleshi.
“Edhe unë kam procedurë”, iu drejtua Gazment Bardhi, teksa kryeministri Rama mbërriti në foltoren e Kuvendit, i rrethuar nga Garda e Republikës.
“A mirë darkord”, tha kreu i qeverisë, duke parë protestën e opozitës dhe vendosi të kthehej në karrigen e tij.
Kryeparlamentari ia kaloi fjalën kreut të Grupit të PS-së, Taulant Balla i cili propozoi nisjen e procesit të votimit.
“Bazuar në rregulloren e Kuvendit dhe mqs opozita nuk lejon kryeministrin të prezantojë programin kalojmë në votim”, u shpreh ai.
“Grupi parlamentar i PD me veprimet e tij refuzon të dëgjojë programin, Grupi i PS-së tërhiqet nga propozimet dhe nga diskutimet e kërkon kalim në votim, vendos kalimin në votim. Kalojmë në miratimin e projektvendimit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave”, tha Peleshi duke aprovuar kërkesën e PS-së.
Në momentin e hapjes së votimit elektronik, Gazment Bardhi mori rregulloren e Kuvendit dhe iu afrua foltores, duke e hedhur më pas në drejtim të Kryeministrit Rama.
Ndërsa në atë moment drejt foltores shkuan edhe deputetë të tjerë të PD-së, Oerd Bylykbashi, Luçiano Boçi, Albana Vokshi etj.
Ndërkohë PS, pavarësisht protestës së opozitës, vazhdoi me votimin duke votuar programin e ri qeverisës dhe kabinetin.
“Mbyllet votimi, projektvendimi miratohet, seanca mbyllet këtu, seanca tjetër do ju njoftohet”, tha Peleshi, ndërsa kryeministri u largua nga salla e Parlamentit.