Situata vijon të jetë e tensionuar në Theth, ku Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe policia, po zhvillojnë aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë turistike.
Banori Bekim Koçeku, ka dalë përpara fadromës, duke i bërë thirrje autoriteteve të ndalojnë aksionin:
“I bëj thirrje shtetit, institucioneve të vijnë e të vënë dorë. Po na prishin shtëpitë, po na nxjerrin në rrugë të madhe. Le të më hipë sipër kamioni, le të vdes edhe unë.
I bëj thirrje Ramës, Benet Becit, kujt të mundet të vëjë dorë. Në të kundërt unë do të vdes sepse nuk kam para të paguaj borxhet”.
Edhe motra e tij, e pranishme në protestë, shprehu vendosmërinë për të mos lënë banesat e tyre: Kemi ndërtuar 5 shtëpi.
Bekimi ka marrë kredi, ka lënë pensionin për të ndërtuar. Pasha të madhin Zot, në fadromë vdes, këtë vend nuk e lëshojmë”.
Nga ana tjetër, drejtori i zbatimit të vendimeve në IKMT, Fatmir Mete, deklaroi se në Theth janë planifikuar për t’u prishur rreth 70-80 objekte të ndërtuara pa leje.