Tenderi 920 mln lekë! Kallëzohet në SPAK drejtori i rëndësishëm

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli është kallëzuar në SPAK për shpërdorim të deturës dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera.

Bëhet fjalë për projektin e “rikualifikimin urban pranë qendrës së qytetit Vlorë, Zona A drejtimi i kullës së Sahatit dhe Sheshi i Flamurit”, i cili ka pasur vlerën e 919 milionë lekëve pa TVSh.

Sipas PD së Vlorës, shkeljet janë bërë në:

– në skualifikimin në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore për “Prokurimin publik” të disa ofertuesve që kanë marrë pjesë në këtë prokurim;

– Pranimin dhe kualifikimin si të suksesshme të ofertës së bërë nga opertatori, në kundërshtim me kriterin e percaktuar në dokumentat standarte të tenderit.

NJOFTIMI I PLOTË:

Të nderuar qytetarë!

Jam sot këtu, në emër të PD Vlorë, për të bërë publik, Kallzimin e Veprës Penale të parashikuar në Nenet 248 “Shpërdorimi i detyrës” dhe 258 “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” të Kodit Penal.

Kallzimi, i është drejtuar Strukturës së Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK, kundër Dritan Agollit, Drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.Kallzimi në fjalë është kryer në lidhje me procedurat e prokurimit për “Rikualifikimin urban pranë qendrës së qytetit Vlorë, Zona A drejtimi i kullës së Sahatit dhe Sheshi i Flamurit”, me vlerë të fondit limit rreth 920 milion lekë pa TVSH.

Nga faktet e shumta, të cilat i kemi referuar dhe në kallëzimin penal, rezulton se jemi përpara veprimeve apo mosveprimeve të kundërligjshme, që passjellin përgjegjësi penale, në të paktën dy drejtime. Konkretisht:

(i) në skualifikimin në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore për “Prokurimin publik” të disa ofertuesve që kanë marrë pjesë në këtë prokurim;

(ii) Pranimin dhe kualifikimin si të suksesshme të ofertës së bërë nga opertatori, në kundërshtim me kriterin e percaktuar në dokumentat standarte të tenderit.

Oferta në vlerën e 700 milion leke pa TVSH e shoqërisë “Gener 2” Sh.p.k. e identifikuar si oferta fituese, krahasuar me ofertën në vlerën prej 540 milion lekë të shoqërisë “Curri” Sh.p.k. & “Alba Konstruksion” Sh.p.k. ka një diferencë prej 160 milion lekë pa TVSH, ose e thënë ndryshe rreth 2 miliard lekë të vjetra më tepër.

Kjo diferencë është një shumë tepër e konsiderueshme duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik fondeve publike të buxhetit të shtetit.

Partia Demokratike Vlorë shpreh gadishmërinë e plotë, për të mbështetur SPAK gjatë këtij hetimi, të bindur, ashtu si i gjithë opinioni publik që ka besim në SPAK, se ky institucion do të angazhohet seriozisht, për të ndalur shpërdorimin e hapur të fondeve publike për interesa klienteliste, në dëm të interesit publik.

Ne nuk jemi kundër investimeve në qytet, dhe i mirëpresim ato, por jemi kundër praktikave të përdorura në prokurimet publike, të cilat i rëndojnë buxhetit të shtetit dhe xhepave të taksapaguesve shqiptarë.

Gjithashtu, Partia Demokratike Vlorë, është duke përgatitur një kallëzim penal drejtuar SPAK edhe për projektin që po zbatohet në zonën e Skelës, i cili rezulton se ka të njëjtat praktika ashtu si edhe për projektin e Sheshit të Flamurit.

Nuk jemi këtu për të bërë politikë, por për të bërë atë detyrë qytetare dhe institucionale, të cilën duhet ta bënte çdo shtetas, shoqëri civile apo institucion i pavarur, në mbrojtje të pasurisë të të gjithëve, e cila nuk mund të trajtohet e të jepet si një mall pa zot, në shërbim vetëm e vetëm të pasurimit të një grupi të vogël njerëzish. Ne i bëjmë thirrje opinionit publik dhe ndjeshmërisë qytetare vlonjate, që të jenë të vëmendshëm ndaj praktikave të tilla, për të parë përtej propagandës me imazhin që krijojnë investime të tilla, të cilat në të vërtet kryhen me një kosto shumë herë më të lartë nga sa nevojiteten me të vërtet! /albeu.com/

 

Shtuar 30.03.2021 10:03