Tenderi 700 mijë € i KESH, zbardhen SMS-të e Becit me Berberin: S’qitën gjo çunat, presim nga Harvardi…

Dosja hetimore mbi një procedurë prokurimi në KESH, ka zbuluar se dy muaj përpara tenderit me vlerë rreth 700 mijë euro, disa zyrtarë të lartë të energjisë nisën bisedimet për paracaktimin e tij.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Ora News, pjesë e grupit të komunikimit kanë qenë Benet Beci, atëherë Administrator i KESH, Ervis Berberi, drejtori i Agjencisë së Energjisë dhe Eficencës, si dhe Adela Ruko dhe Dritan Dakoli.

Sipas dosjes hetimore, biseda e parë bëhet me datën 29.10.2019, ora 18:47:59; shtetasi Evis Berberi i ka dërguar shtetasit Benet Beci, me detyrë Administrator i KESH, SMS me tekstin: “Përshëndetje Visi, jam nesër kur mund të takohemi”.

Ndërsa rezulton se shtetasi Benet Beci, e ka telefonuar shtetasin Evis Berberi në aplikacionin “WhatsApp” ditën e nesërme.

Pasi Beci ka komunikuar me Berberin, ky i fundit ka biseduar me Dritan Dakolin, e ndërsa me anë të një mesazhi Dakoli i thotë Benet Becit: “U nisa për 10 min besoj se jam aty”.

Sipas burimeve, ka dyshime se mes Becit, Dakolit dhe Berberit, të jetë zhvilluar një takim ku tema e diskutimit ka qenë pikërisht tenderi në fjalë.

Kjo përforcohet edhe më shumë pasi më 31 tetor Dritan Dakoli, i ka dërguar Evis Berberi materialin në formatin “Word” me emërtimin “Kërkesat për kualifikim CMA – masterplan KESH”.

Ky material është i njëjtë me materialin që një ditë më pas, në datën 01.11.2019, Evis Berberi ia ka përcjellë shtetasit Benet Beci.

Në këtë dokument gjendet drafti i kritereve të përgjithshme të kualifikimit dhe kritereve të veçanta të kualifikimit, kritere të cilat janë përdorur më pas në procedurën e prokurimit me nr. REF-46463-12-18-2019, me objekt: “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik”.

Menjëherë sapo i ka përcjellë shtetasit Benet Beci dy materialet e mësipërme, i ka dërguar mesazhet shtetasit Benet Beci me tekst: “Kërkesat janë paraprake. Se pret ca detaje nga Harvard”.

Benet Beci, i është përgjigjur me dy SMS, ku njëri rezulton i fshirë dhe nuk evidentohet përmbajtja, ndërsa tjetri ka tekstin: “Ok flm Visi”.

Në datën 07.11.2019, Dritan Dakoli, i dërgon shtetasit Evis Berberi materialin me emërtimin “Electricity Workstream Deliverables 2019-2020” me tekstin: “Harvardi për KESH. Më thanë, hidhi një sy. I thashë, këtë e kanë bërë profesorët, çfarë mund të themi ne të shkretët me dy klas shkollë”?

Evis Berberi i përgjigjet me SMS me tekstin:Hahaha, kush ta çoi”.

Dritan Dakoli i shkruan shtetasit Evis Berberi tekstin:Ai cuni Harvardit. Me atë që flasim”.

Këtij mesazhi, shtetasi Evis Berberi i përgjigjet me tekstin:Ok super, po ja nis”.

Në datën 18.11.2019, Dritan Dakoli i dërgon Evis Berberi mesazhin me tekstin:Sqiten gjo cunat e KESH”, ndërsa shtetasi Evis Berberi i kthen përgjigjen: “Të them unë, po e bëjnë gati”. /OraNews


Shtuar 4.02.2026 13:49