Tender për rrugën Korçë-Ersekë – ARRSH bën gati procedurën, 432.3 mln lekë për pjesën e dytë të lotit II

Përfundimi i rrugës Korçë – Ersekë do të kërkojë fonde shtesë, teksa Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë gati tenderin për pjesën e dytë të lotit II.

Ky dikaster parashikon të hapë procedurën prokuruese, me fond limit prej rreth 432.3 mln lekë, që do të shkojnë për ndërtimin e kësaj pjese të rrugës. Tenderi fillestar për këtë segment u zhvillua në vitin 2022 dhe kishte një fond limit prej 2.16 mld lekë, ndërkohë që së bashku me pjesën e parë të lotit 2, kosto për aksin me gjatësi 4.15 km ishin rreth 19.5 mln euro.

Sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, aktualisht aksi rrugor Korçë-Ersekë ka një gjatësi prej 45 kilometrash, ndërsa me përfundimin e segmentit të ri distanca shkurtohet në 35 kilometra, raporton SKAN.

Rruga Korçë-Ersekë është një aks kyç në rajonin jug-lindor, ndërsa projekti parashikon ndryshime të rrugës aktuale, duke shmangur disa prej segmenteve, të cilët në dimër paraqesin problematikë nga ngricat dhe bora.


Shtuar 17.08.2024 10:34