“Ten lekë”, punonjësi i karburantit zbardh lëvizjet e vrasësit të Nikulajt: Në dorë mbante kartëmonedhat e zhubrosura, u afrua dhe…

Dëshmia e një punonjësi të një karburanti në zonën e Lezhës ka zbuluar detaje të reja në lidhje me vrasësin e dyshuar të Ardian Nikulajt.

I pyetur nga policia, ai ka shpjeguar se ditën e ngjarjes, më 19 prill, rreth drekës ndodhej te karburanti kur kishte mbërritur një person me motor. Ai ishte duke lëvizur me drejtim Lezhë-Milot dhe ishtë ndalur te pompa e dytë.

Pasi ka ndaluar motorin personi ka zbritur dhe në atë çast ai është afruar pranë tij për t’i shërbyer. Në momentin që është afruar ka fiksuar se motori ishte me ngjyrë të errët, me targa të huaja, ndërsa personi ishte i veshur me pantallona blu të errët, një jelek si jeshile sipër xhupit, skafandër në kokë, një maskë që mbulonte gojën, doreza si ato të punës. Në dukje ai ka deklaruar se mund të ishte i moshës mbi 40 vjeç.

Në momentin që i është afruar, sipas dosjes së prokurorisë, personi i ka thënë punonjësit të karburantit, “Ten lekë”, duke i zgjatur dorën që e kishte bërë grusht dhe kishte një kartmonedhë të prerjes 2000 lekë të reja, që ishin të zhubravitura.

Aty ka kuptuar se personi ishte shtetas i huaj, pasi edhe fjalën “Lekë” e shqiptonte me theks të huaj. Ai i ka hedhur 1000 lekë benzinë, e më pas personi është larguar.

Në dosjen hetimore, thuhet se “nisur nga mekanizmi i kryerjes së krimit, duke analizuar veprimet e kryera nga ekzekutori për disa ditë, është krijuar dyshimi se ekzekutori ka pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë për kryerjen e veprës penale, të cilët duhet ta ndihmonin lidhur me informacion mbi viktimën, vendndodhjen e tij në kohë reale, mjetet me të cilat do përdoreshin në krim dhe bazën e strehimit dhe të fshehjes së mjeteve të përdorura”./Albeu.com/


Shtuar 28.04.2023 19:27