“Tempulli” prangos 43-vjeçarin në Tiranë

Operacioni “tempulli” vijon dhe ditën e sotme ka prangosur një 43-vjeçar.

Policia bën me dije se ka shkuar në 96 numri i personave të ndaluar në kuadër të këtij operacioni.

Në rrugën “Jordan Misja”, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi E. S., 43 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 10 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 3.7 kg kokainë, 150 doza heroine, 1 armë zjarri pistoletë, 12 automjete, 78 celularë, 12 peshore elektronike, 3 motomjete, 30 000 euro, 6000 paund, 4 500 000 lekë dhe 12 targa automjetesh.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 2.10.2023 08:56