Temperaturat ekstreme dhe zjarret prekin Evropës Jugore, Spanja dhe Greqia i kërkojnë ndihmë BE-së për avionë. Në Turqi shënohen 18 viktima

Zjarret e forta të nxitura nga vala e të nxehtit, të cilat kanë vrarë tre persona në Spanjë gjatë ditëve të fundit, duke shkatërruar mijëra hektarë tokë dhe duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, janë një “paralajmërim i qartë” për ndikimin e emergjencës klimatike, ka thënë ministrja e Mjedisit të vendit.

Duke folur të mërkurën në mëngjes, ndërsa zjarrfikësit në Spanjë, Greqi dhe vende të tjera mesdhetare vazhdonin të luftonin me dhjetëra vatra zjarri, Sara Aagesen tha se 14 zjarre janë ende aktive në shtatë rajone spanjolle.

Aagesen tha se, ndonëse disa nga zjarret duket se janë shkaktuar qëllimisht, këto zjarre vdekjeprurëse janë një tregues i qartë i emergjencës klimatike dhe i nevojës për përgatitje e parandalim më të mirë.
“Zjarret janë një nga pasojat e atij ndryshimi klimatik, ndaj duhet të bëjmë gjithçka që mundemi në drejtim të parandalimit,” tha ajo për radion Cadena Ser.

“Vendi ynë është veçanërisht i prekshëm nga ndryshimi klimatik. Ne kemi burime tani, por duke qenë se provat shkencore dhe pritshmëritë e përgjithshme tregojnë se ndikimi do të jetë gjithnjë e më i madh, duhet të punojmë për forcimin dhe profesionalizimin e atyre burimeve.”

Qeveria spanjolle të mërkurën tha se i ka kërkuar ndihmë Bashkimit Evropian, veçanërisht për dy avionë për hedhjen e ujit. “Ne kemi kërkuar zyrtarisht mbrëmë” këtë ndihmë, tha ministri i brendshëm Fernando Grande-Marlaska për Cadena Ser.

Portugalia fqinje ka angazhuar më shumë se 2,100 zjarrfikës dhe 20 avionë kundër pesë zjarreve të mëdha, me përqendrimin e përpjekjeve te një zjarr në komunën qendrore të Trancoso-s, i cili ka vazhduar që nga e shtuna.

Erërat e forta gjatë natës kanë rindezur flakët dhe kanë kërcënuar fshatra pranë, ku pamjet televizive tregonin banorë vendas që vullnetarisht ndihmonin zjarrfikësit nën një re të dendur tymi.
Në Greqi, e cila kërkoi ndihmë ajrore nga BE-ja të martën, afro 5,000 zjarrfikës po luftonin me zjarret e përhapura nga erërat e forta anembanë vendit.

Autoritetet thanë se punonjësit e emergjencës po zhvillonin “një betejë titanike” për të shuar flakët që vazhdonin të digjnin Peloponezin perëndimor, në Epir më në veri, dhe në ishujt Zakynthos, Kefalonia dhe Chios, ku mijëra banorë e turistë janë evakuuar nga shtëpitë dhe hotelet e tyre.

Mediet lokale raportuan se zjarret kanë shkatërruar shtëpi, ferma dhe fabrika, duke detyruar njerëzit të largohen. Pesëmbëdhjetë zjarrfikës dhe dy vullnetarë kanë pësuar djegie dhe lëndime të tjera, përfshirë “simptoma të goditjes nga i nxehti”, tha shërbimi zjarrfikës.

Turqia po lufton me zjarre të rënda që nga fundi i qershorit. Në total, 18 persona kanë humbur jetën, përfshirë 10 vullnetarë shpëtimi dhe punonjës pyjorë që vdiqën në korrik.


Shtuar 14.08.2025 11:13