Këtë të hënë, i ftohti, ngricat dhe akulli kanë përfshirë qarkun e Dibrës. Në disa zona të thella, temperaturat gjatë natës kanë zbritur deri në -10 gradë Celsius.
Si pasojë, janë shfaqur probleme në furnizimin me ujë të pijshëm në disa fshatra të thella. Të bllokuara nga bora mbeten fshatra në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Muhurr, Selishtë, si dhe disa fshatra në njësitë Trebisht dhe Ostren.
Në këto zona, trashësia e borës arrin mbi 40 centimetra.
Prezencë e madhe bore dhe akulli, raportohet në rrugët rurale. Bashkitë Dibër dhe Bulqizë, janë në terren dhe po punojnë për hapjen e akseve rrugore.
Ndërkohë, ura e Çerenecit në aksin Çerenec-Librazhd, është e pakalueshme për qarkullim.
Sa i përket lëvizjes në akset kryesore:
Peshkopi Tirane qarkullimi kryhet pa zinxhirë
Peshkopi-Kukës: qarkullimi kryhet vetëm me zinxhirë
Gjithashtu, probleme janë raportuar edhe në zonën e Martaneshit, ku bora dhe ngricat vijojnë të vështirësojnë lëvizjen.
