Tedi Blushi: Raporti i PE fakton blerjen e votave, Qeveria e ka humbur legjitimitetin

Sekretari i Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi sot se raporti i Parlamentit Evropian fakton blerjen e votave në zgjedhjet patrlamentare të 11 majit.

Në këtë kontekst, Blushi u shpreh se Qeveria e ka humbur legjitimitetin e saj.

DEKLARATA E TEDI BLUSHIT

Konkluzioni i rëndë dhe alarmues i bërë sot në Parlamentin Europian se “strukturat kriminale nuk lejojnë ndryshimin e pushtetit në Shqipëri”, vërtetoi sot botërisht qëndrimet e drejta të Partisë së Lirisë dhe opozitës se shteti i bërë njësh me krimin shkatërroi nëpërmjet terrorizmit elektoral standardet e zgjedhjeve të 11 Majit.

Sot, nga zemra e Bashkimit Europian, u përcoll qartë mesazhi se kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin dhe se po mbahet në pushtet jo nga vullneti i qytetarëve, por nga fuqia e krimit të organizuar dhe abuzimit të përbindshëm me fondet dhe institucionet publike në funksion të axhendës politike, elektorale dhe kriminale të Edi Ramës.

Raporti i Parlamentit Europian për zgjedhjet, i prezantuar nga eurodeputeti i CDU, Michael Gahler, që udhëhoqi misionin vëzhgues në Shqipëri sqaron qartësisht se votat më 11 Maj u blenë nëpërmjet:

abuzimit me burimet publike,

presionit mbi votuesit, veçanërisht punonjësit publikë,

keqpërdorimit të aktiviteteve qeveritare për qëllime elektorale,

amnistia e minutës së fundit për gjobat e papaguara nga qytetarët, një lëvizje që perceptohet si blerje votash,

Si dhe bonusi për pensionistët, një muaj para zgjedhjeve.

Ky raport e damkos botërisht Qeverinë e Edi Ramës si një regjim që ka asgjësuar demokracinë dhe shtetin ligjor, që dhunon liritë dhe shkelmon brutalisht të drejtat themelore të njeriut.

Partia e Lirisë e përshëndet raportin e Parlamentit Europian dhe e përkrah fuqimisht propozimin për dërgimin e një misioni faktmbledhës në Shqipëri.

Këto zgjedhje të kriminalizuara nuk përmbushën asnjë standard ndërkombëtar dhe shkelën dhunshëm kriteret e Kopenhagenit dhe Partia e Lirisë është e vendosur në vijimin e betejës së saj të pakompromis për të denoncuar me fakte dhe prova manipulimin e procesit zgjedhor përmes kapjes së shtetit dhe bashkëpunimit kriminal në frikësimin e votuesve dhe manipulimin e rezultateve; përndjekjes gjyqësore ndaj liderëve të opozitës; pandëshkueshmërinë institucionale ndaj krimeve zgjedhore, të cilat qartësisht u dënuan edhe në rezolutën shumë të rëndësishme të organizatës politike më të madhe në botë, IDC-CDI.

Çdo ditë po dalin në dritë të diellit prova të pastra dhe të qarta të terrorizmit elektoral, që vërtetojnë para të gjithë shqiptarëve se si Narkoregjimi tjetërsoi në mënyrë mafioze dhe të dhunshme vullnetin e lirë të qytetarëve duke shkallmuar standardet e zgjedhjeve.

Vetëm në Narkoshtetin e Edi Ramës mund të ndodhë që të “humbin” 130 mijë fletë votimi, si 130 milion eurot e avulluara të inceneratorit të Tiranës që nuk ekziston.

Ky terrorizëm elektoral nuk mund të pranohet kurrë!

Shqipëria nuk mund të integrohet në Europë me “trenat bullgarë” të Edi Ramës, por vetëm duke ndjekur shinat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare që garantojnë votën e lirë dhe zgjedhje të ndershme.

Pa garantuar votën e lirë, themelin e demokracisë dhe shtetit ligjor, nuk mund të ketë integrim të Shqipërisë në familjen europiane!

 


Shtuar 4.06.2025 15:26