Përmes një postimi në rrjetet sociale, sekretari i Përgjithshëm i Partisë të Lirisë, Tedi Blushi, ka deklaruar se PL do të mbështesë me 500 Euro pagesë direkte çdo hektar pemishte.
Gjithashtu, ai thekson se hedhja e prodhimeve në kanal dhe sharrimi i drurëve frutorë, do të jenë drama që nuk do të përsëriten më kurrë!
Sipas Blushit, mundin dhe sakrificën e tyre do ta shndërrojmë në mirëqënie të sigurt për ta.
Postimi i plotë:
“Partia e Lirisë do të mbështesë me 500 Euro pagesë direkte çdo hektar pemishte dhe në shitje te pikat e grumbullimit do të paguajmë 20 lekë/kg për sasinë e frutave të dorëzuara.
Bujqësia është prioriteti ynë kryesor!
Boll kanë vuajtur këto 11 vite fermerët duarartë të Korçës dhe të gjithë Shqipërisë!
Hedhja e prodhimeve në kanal dhe sharrimi i drurëve frutorë do të jenë drama që nuk do të përsëriten më kurrë!
Mundin dhe sakrificën e tyre do ta shndërrojmë në mirëqënie të sigurt për ta, në rritje dhe zhvillim për ekonominë shqiptare, për t’i dhënë fund shpopullimit!”, shkruan ai.