Teatri me 1,300 civilë i bombarduar nga Rusia, deri më tani janë shpëtuar vetëm 130 vetë

Vijon operacioni i shpëtimit te teatri me 1,300 civilë i bombarduar nga Rusia në Mariupol.

Deri më tani janë shpëtuar vetëm 130 vetë. Ish-kreu i rajonit të Donetsk-ut, u shpreh se operacioni i shpëtimit në godinën e bombarduar nga rusët nuk po ecën me ritmin e duhur.

Në një intervistë për një televizion ukrainas Taruta tha se njerëzit po i bëjnë të gjitha vetë, për shkak se nuk ka ekipe shpëtimi mjaftueshëm.

“Miq të mi shkuan që të ndihmonin por për shkak të bombardimeve të vazhdueshme, situata vështirësohet. Njerëzit po e hapin vetë rrugën nga gërmadhat. Nuk ka operacion shpëtimi pasi nuk ka njerëz që mund të shpëtojë civilët nën gërmadha, t’i trajtojnë apo t’i varrosin. Këto shërbime nuk ekzistojnë më”, u shpreh ai.

Autoritetet në Mariupol kanë deklaruar se nuk është ende e mundur që të vlerësohet numri i saktë i viktimave nga sulmi. Ndërkohë, më herët gjatë ditës së sotme, ministri i Kulturës në Itali Dario Franceschini  ka bërë të ditur se qeveria italiane është e gatshme që ta rindërtojë teatrin e bombarduar nga rusët./albeu.com/