Teatri i ri Kombëtar, punimet për ndërtimin e të cilit nisën sot, do të jetë një tjetër gur i çmuar për Tiranën.
Kështu e ka konsideruar Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në ceremoninë e inaugurimit të nisjes së punimeve.
Debatin për shembjen e teatrit të vjetër dhe ndërtimin e të riut, kreu i qeverisë e ka krahasuar me atë të stadiumit “Arena Kombëtare”.
Njësoj si në këtë rast, që ky stadium shërbeu për një finale europiani futbolli, edhe Teatri i ri Kombëtar do ta kthejë Tiranë në një destinacion për të huajt, sepse sipas Ramës, aty do të organizohen edhe aktivitete kulturore ndërkombëtare.
“Ky projekt shkon përtej një Teatri Kombëtar të mirë për Shqipërinë. Ky projekt është një tjetër gur i çmuar në një gjerdan veprash që e kan nxjerrë Tiranën jashtë vetes, jashtë kornizës së vjetër të vetes dhe e kanë projekt si kryeqytet europian ku ndodhin gjëra dhe tërheqin vëmendjen edhe të të tjerëve. Faktikisht është e lehtë sot me këtë projekt që ne fillojmë të realizojmë për të bërë paralele me stadiumin, që ne e kishim dhe që praktikisht as për stadium nuk mund të përdorej dot më sepse u fut në listën e zezë të UEFA dhe FIFA. Ne e ndërtuam stadiumin. Jam i bindur që askujt deri përpara se stadiumi bëhej realitet, nuk i ka shkuar mendja se mund të vinte dita se në Shqipëri të luhej finale europiane. Ja pra ndodhi. Dhe ndodhi sepse ne ndërtuam një stadium të denjë.
E njëjta gjë do ndodhi me teatrin sepse nuk do jetë vetëm një destinacion për komunitetin tonë të spektatorëve, dashamirësve të teatrit dhe vend prodhimi të shfaqjeve për komunitetin e aktorëve tanë, por do jetë një vend ku padiskutim me shumë probabilitet do organizohen dhe aktivitete ndërkombëtare, festivale ndërkombëtare, do organizohet një hapësirë ku do ketë ballafaqim këtu në Tiranë të teatrove të ndryshmë nga rajoni, bota dhe jam i bindur për këtë”, u shpreh Rama.