Të shtëna me armë zjarri në Kosovë/ Vriten dy vëllezër, zbardhen detaje nga krimi

Ditën e sotme, një krim i dyfishtë ka tronditur fshatin Gollbovc të Malishevës në Kosovë.

Raportohet se viktimat janë vëllezër me njëri-tjetrin, ndërsa autori i vrasjes dyshohet të jetë dhëndri i familjes, banues në Komunën e Drenasit.

Sipas informacioneve fillestare, viktimat janë të moshave rreth 32 dhe 45-vjeç, të cilët janë qëlluar me armë zjarri para shtëpisë së tyre.

Ngjarja dyshohet se ka pasur motiv familjar, i cili kishte filluar më herët mes palëve.

I dyshuari, sipas hetimeve paraprake, sot ka shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë gruan e tij. Pasi është larguar disa metra, ai është kthyer përsëri dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve që ndodheshin para derës së shtëpisë.

Të dy kanë ndërruar jetë si pasojë e të shtënave, njëri në vendin e ngjarjes e tjetri rrugës.

Dyshohet se edhe vëllai i të dyshuarit kishte pasur konflikte të mëhershme me viktimat, të cilat mund të kenë shkaktuar rëndimin e situatës dhe shpërthimin e dhunës fatale sonte.

Policia dhe Prokuroria janë në vendngjarje. Trupat duhet dërguar për ekzaminim, ndërsa i dyshuari është në kërkim dhe po zhvillohen veprime të shpejta operative për kapjen e tij.


Shtuar 6.11.2025 13:21