Të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, arrestohen 4 persona në Tiranë

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Catch”, policia e Tiranës, ka arrestuar 4 persona për vepra të ndryshme penale.

Burime zyrtare nga uniformat blu, bënë me dije se një prej të arrestuarve është prangosur për plagosje.

Njoftimi:

“Tiranë/Vijon operacioni policor i koduar “Catch”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Kapen 4 shtetas në kërkim, të dënuar/akuzuar për vepra të ndryshme penale. Strukturat e DVP Tiranë, si rezultat i kontrolleve në terren të kryera në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit “Catch”, kapën dhe vunë në pranga 4 shtetas të shpallur në kërkim, konkretisht:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit e Policisë Nr. 2 kapën dhe ndaluan shtetasin J. P., 33-vjeç, banues në Tiranë, pasi Prokuroria ka lëshuar urdhër ndalimi për të, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, kapën dhe ndaluan shtetasin A. K., 36-vjeç. Këtë shtetas, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”; me 10 muaj burgim, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”; si dhe i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me sherbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore kapën dhe ndaluan shtetasin A. H., 42-vjeç, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 3 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kapën shtetasin G. H., 41-vjeç. Nga dënimi me 5 vjet burgim, i dhënë nga Gjykata e Apelit Gjirokastër, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’’, këtij shtetasi i kanë mbetur për të kryer 11 muaj e 21 ditë burgim. Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Gjirokastër. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.


Shtuar 13.12.2025 09:35