Tre shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, janë ekstraduar nga Italia dhe Greqia.
Interpol Tirana njofton se bëhet fjalë për shtetasit Ilir Duro, Luis Shkira, Paulin Peci.
-Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Romën, u ekstradua nga Italia drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar Ilir Duro, 51 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale ‘’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’, ‘’Grupi i strukturuar kriminal’’ dhe ‘’Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal’’. Shtetasi I. D. dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me transportimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
-Gjithashtu si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u bë ekstradimi nga Italia drejt vendit tonë, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Luis Shkira, 21 vjeç, banues në Pogradec, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. 21-vjeçari, më datë 13.09.2021, ka tentuar të trafikojë lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut.
-Në vijim, si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën, u ekstradua nga Greqia drejt vendit tonë, shtetasi shqiptar Paulin Peci, 30 vjeç, banues në Përmet. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim./Albeu.com/