Policia e Shtetit, ka finalizuar me sukses ekstradimin drejt Italisë të tre shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, individualisht ose si pjesë e organizatave kriminale.
Operacioni u krye falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, duke çuar në dorëzimin e shtetasve:
Albert Koni, 51-vjeç, i dënuar nga Gjykata e Torinos me 4 vjet e 6 muaj burg për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Ai akuzohet për shitjen e kokainës në ambiente publike, në zonat Arona dhe Novara gjatë vitit 2017.
R. A., 21-vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Milanos ka caktuar masën “arrest në burg” për “Trafikim të lëndëve narkotike”, kryer si pjesë e një organizate kriminale që vepronte në Milano në periudhën 2022-2024.
A. F., 39-vjeç, i kërkuar nga autoritetet e Gjenovas për trafikim droge dhe armëmbajtje pa leje, në kuadër të operacionit italian “COOK 2020”.