Të hënën rivarrimi, si e nxiu propaganda komuniste figurën e Qazim Mulletit, nga “Prefekti” te tragjedia e familjes

Pas 67 vitesh që nga dita e vdekjes, dje mbërritën në atdhe eshtrat e ish-prefektit të Tiranës Qazim MulletI me arkëmortin e veshur me flamurin kombëtar. Nga Porti i Durrësit eshtrat u nisën drejt Tiranës, vendlindjes së tij ku edhe do të prehet.

Arkëmorti me eshtrat e ish-prefektit të Tiranës Qazim Mulleti, mbërriti në atdhe pas një kalvari përpjekjesh të familjarëve e intelektualëve kryeqytetas që daton që prej vitit 1991. Pasardhës e miq të tyre e cilësuan këtë ngjarje mision të përmbushur dhe shprehën bindjen se, nga sot nis rehabilitimi i kësaj figure aq të anatemuar.

Ishte shoqata “Tirona Intellectum”, e cila njoftoi pak ditë më parë se eshtrat e ish-prefektit të Tiranës do të kthehen në Shqipëri. Ish-prefekti i Tiranës, familja e të cilit pësoi një persekutim të egër nga regjimi komunist dhe mbi të cilin u hodh aq baltë nga histografia komuniste, ishte varrosur në një magazinë në një qytezë në periferi të Romës. Familjarët e ish-prefektit e pritën arkmortin në Port, të shoqëruar nga kreu i shoqatës “Tirana”, ish-prefekti i Tiranës Sadi Vorpsi, si dhe juristi Shkëlqim Hajdari, i cili ka qenë koordinator i procesit për kthimin e eshtrave të tij. Ceremonia e rivarrimit të tij do të mbahet në 28 gusht në Shish Tufinë.

Qazim Mulleti ndërroi jetë në Romë më 28 gusht 1956 dhe është lajmëruar se ceremonia e varrimit të tij në varrezat e Shish Tufinës në kryeqytet më 28 gusht. Lidhur me rolin e Mulletit në histori së fundmi ka pasur një sërë diskutimesh edhe për trajtimin që i është bërë kësaj figure ndër të tjera në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës. Debati përfshiu dhe njerëz të medies, historianë e politikanë dhe si pasojë u pezullua rivënia e shfaqjes. Arben Tafaj, kryetar i Shoqatës “Tirana” tha së tanimë do të nisë rehabilitimi i figurës së ish-prefektit të Tiranës, deri vonë i anatemuar.

“Përpjekjet për rehabilitimin e Qazim Mulletit nuk kanë munguar asnjëherë. Nuk ka qenë aspak e lehtë. Ka shumë aktorë në mjedisin tonë, të cilët duhet të koordinohen dhe të nxjerrin në pah figura të tilla që deri më sot janë anatemuar”, u shpreh Arben Tafaj.

Një nga iniciatorët e sjelljes së eshtrave të Qazim Mulletit në atdhe, ish-prefekti i Tiranës Sadi Vorbsi deklaroi se të gjithë pa dallim politik janë mbledhur për të respektuar eshtrat e figurës së Mulletit.

“Për sa i përket debatit, normalisht kjo është një çështje që i përket historianëve dhe do ja lejmë atyre. E rëndësishme është që ne sot, së bashku pa dallim bindjesh politike jemi këtu për të respektuar këtë figurë të qytetarëve të Tiranës”, u shpreh Sabi Vorbsi. Ndërsa, juristi Shkëlqim Hajdari shprehu bindjen se nga sot shqiptarët do ta njohin figurën e vërtetë të Qazim Muletit. Ai përmendi se procedura për sjelljen e eshtrave nuk ka qenë fort e thjeshtë.

“Ka qenë një kënaqësinë e madhe që unë dhe Beni ti bashkangjitemi vullnetit të familjes Mulleti për të mbërritur në këtë ditë të madhe. Ka qenë një procedurë jo e lehtë. Kjo është një ditë e lumtur për të gjithë Tiranën. Nga sot vijon rehabilitimi i Qazim Mulletit të vërtetë. Shqiptarë do të kuptojnë që Qazim Mulleti ishte një figurë qytetarë e patriotike dhe i arsimuar”, u shpreh Shkëlqim Hajdari.

Nipi i tij tha se Qazim Mulleti ka shkrirë pasurinë e tij për Shqipërinë Europiane.

“Ai ka shkrirë jetën pasurinë, shpinë e vet, për Shqipërinë Europiane. Sot, fitoi linja e tij linja e bashkimit kombëtar. Kufiri është formal. U bashkua ideja tij! Jam shumë i gëzuar. Vuajtëm, por e mbërritëm këtë ditë!”, tha një i afërm i tij. Kurse mbesa e Qazim Mulletit, Fatbardha Saraçi Mulleti në një intervistë për “News 24” u shpreh mirënjohëse, ndërsa tregoi edhe për vështirësitë e asaj kohë për shkak të regjimit.

“Ishte një detyrim familjar, por besoj se është edhe shoqëror. Jam një përfaqësuese e familjes, u jemi mirënjohës të gjithëve. E kemi ditur që jetonte në Romë, por komunikimi me familjen ka qenë i dhunshëm. Nënë e bir u internuan në kampin e Tepelenës. Tregonte për një dhimbje të pakrahasueshme, për hapjen e 300 varreve. Kur u largua e gjithë Evropa ka qenë në luftë, nuk kishte ku të merrte familjen. Letra e familjarëve tonë si të xhaxhait, na vinin në adresë me emra të tjerë, miqsh italianë. E ka ndihmuar familjen me pako, me ushqime, por ai vdiq në moshën 62- vjeçare dhe familja i mbeti në internim gjithë jetën”, tha mbesa e Qazim Mulletit.

“Prefekti”, si u përndoq nga diktatura studenti me medalje ari dhe njohës i 8 gjuhëve

Qazim Mulleti ka qenë dhe mbetet nji figurë që e ka lënë gjurmën e veta në histori. Arti i diktaturës u rrek ta denigronte një personazh të spikatur.

Grotesku dhe sarkazma, manipulimi dhe tjetërsimi, arritën të ngulitin thellë në vetëdijen e shqiptarëve një Qazim Mullet, jo vetëm si vegël të italianëve, por edhe steriotipin e një zyrtari qesharak që drejtonte Tiranën e asokohshme. Pakkush nga ne kanë dijeni mbi dimensionin kulturor që zotëronte Qazim Mulleti i vërtetë, ai që mundi të vijonte të shpërfaqej në dritë përmes fakteve dhe dëshmive pas viteve ’90.

Qazim Mulleti lindi në lagjen “Sulejman Pasha” në Tiranë, më 20 dhjetor 1893 dhe vdiq më 28 gusht 1956 Vicolo delle Grotte Romë. Ka qenë prefekt i Tiranës gjatë pushtimit fashist. Studimet e para i kreu në Manastir, i vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe së fundmi kreu studimet e larta në kolegjin perandorak “Gallata Saraj” të Stambollit, me medalje ari. Ai ishte poliglot. Dinte turqisht, osmanissht, arabisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, latinisht, serbo-kroatisht dhe greqisht.

Në 1912, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë. Në 1914, është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Aty, me ndërhyrjen direkte të mareshalit austriak Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës.

Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur Kryeqytet. Me ndërhyrjen e dajës së Qazimit, Mytesim Këlliçit, Abdi Toptanit dhe Qazim Mulletit, si dhe të delegatëve të tjerë të Tiranës në kongres, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë).

Më vonë, në bisedat e Kuvendit Kombëtar, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhet të ishte Kryeqytet i Shqipërisë. Pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin më të favorshme se ato të qytetit të Durrësit. (Tirana, de jure u bë Kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925). Në shtator të vitit 1920, është Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë. Më 25 prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia-Zgjimi”, së bashku me z.Hafiz Ibrahim Dalliu dhe z. Musa Maçi, si përfaqësues të shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe z. Avni Rustemi të shoqërisë “Bashkimi”. Në qeverinë e Sulejman Delvinës dhe Fan Nolit, pati një detyrë të rëndësishme, si prefekt në Dibër. Mbas dështimit të Revolucionit largohet nga Shqipëria. Familja e Qazim Mulletit vuajti persekutimin e përndjekjen më të egër nga regjimi komunist vetëm për shkak të bindjeve dhe idealeve të tyre të lirisë e besimit. /Panorama


Shtuar 26.08.2023 14:07