Barometri i Organizatës Botërore të Turizmit ka publikur të dhënat e tij, ndërsa Shqipërinë e rendit në vendin e parë në klasifikimin europian për rritjen më të lartë të vizitorëve ndërkombëtarë dhe të dytin në botë.
Për këtë reagoi dhe kryeministri Edi Rama, i cili thotë se këto të dhëna dëshmojnë suksesin e padiskutueshëm në fushën e turizmit.
Sipas Ramës, rezulton se nga janari në shtator rezultojnë se 9.7 milionë vizitorë kanë ardhur në vend.
Këto shifra të turizmit shton Rama, përkthehen në imazh pozitiv për vendin dhe më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit dhe të familjeve shqiptare.
Rama: Një tjetër certifikim ndërkombëtar për këtë vit turistik sapo vjen nga Barometri i Organizatës Botërore të Turizmit, ku Shqipëria kryeson në klasifikimin europian për rritjen më të lartë të vizitorëve ndërkombëtarë dhe renditet e dyta në botë pas Katarit të Kupës së Botës, teksa një “medalje e artë” na akordohet edhe sa i takon arkëtimeve nga turizmi, me rritjen më të lartë krahasuar me periudhën e para pandemisë.
9,7 milionë vizitorë të huaj nga janari në shtator të vitit 2024 dhe një diversitet i larmishëm tregjesh turistike në rritje, janë tregues të qëndrueshëm, por të sigurt se Shqipëria do të vazhdojë t’i mbushë muret me certifikata të tilla suksesesh ndërkombëtare, që përkthehen në më shumë të ardhura për bizneset, punësim për familjet dhe imazh pozitiv ndërkombëtar për Shqipërinë tonë, që as mund të imagjinohej pak vite më parë.