Të drejtat e pasagjerëve në transportin ajror, raporti: AAC ka vepruar në mënyrë të vakët

Respektimi i të drejtave të pasagjerëve që udhëtojnë me linja ajrore ka qenë në fokus të një auditimi të fundit të Kontollit të Lartë të Shtetit, i cili ka dalë në përfundimin se Autoriteti i Aviacionit Civil(AAC) ka reaguar në mënyrë të vakët për mbështetjen dhe informimin.

Referuar auditimit që u shtri gjatë periudhës 2018-2020 KLSH vlerëson se janë një sërë aspektesh ku janë vënë re mangësi dhe ku duhet të merren masa për përmirësim.

Kështu së pari sipas KLSH veprimtari e AAC-së në garantimin e të drejtave të pasagjerëve, edhe pse objektiv prioritar, nuk është përmbushur me efektivitet.

“AAC nuk ka luajtur një rol proaktiv në mbikëqyrjen e kompanive ajrore dhe në informimin e qytetarëve. Gjatë shqyrtimit të Raporteve Vjetore të AAC-së për vitet 2018-2020, trajtimi i garantimit të të drejtave të pasagjerëve dhe asistenca e tyre në rast cenimi të këtyre të drejtave paraqitet e vakët. Nga 225 qytetarë që ju përgjigjën pyetësorit të shpërndarë në fazën e terrenit për temën nën auditim 65 % e tyre nuk kishin informacion që gëzonin të drejta gjatë udhëtimit me transport ajror dhe 58 % nuk kishin informacion se AAC është institucioni shtetëror kompetent që garanton mbrojtjen e këtyre të drejtave” thuhet në raportin e auditimit të KLSH.

Autoriteti rezulton pa një strategji dhe “as ka përcaktuar objektiva konkrete dhe plane veprimi, duke treguar në këtë lloj forme de facto mungesë fokusi ndaj garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të pasagjerëve që përdorin transportin ajror, ndërkohë që de jure, bazuar në interpretimin ligjor të dispozitave të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore, kjo veprimtari institucionale duhej të trajtohej si një veprimtari e rëndësisë së veçantë dhe efektiviteti në menaxhimin e saj, duhet të konsiderohej objektiv kryesor i AAC-së, duke e reflektuar këtë gjatë ushtrimit të veprimtarisë institucionale.

KLSH ka nënvizuar se Autoriteti i Aviacionit Civil nuk ka marrë masat e nevojshme me qëllim implementimin e dëmshpërblimeve për pasagjerët, pavarësisht se mandati i AAC-së në implementimin e sanksioneve për operatorët ajror të huaj që operojnë në Republikën e Shqipërisë është i kufizuar, ky institucion duhet të kishte ndërvepruar në mënyrë efektive me institucionet homologe, me qëllim garantimin e të drejtave të pasagjerëve.

Duke pasur parasysh këtë tablo Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar marrjen e disa masave për rritjen e efektivitetit si dhe garantimin e të drejtave të pasagjerëve./monitor