Nëse konsumatori i shekullit XX formohej nga reklamat, ai i shekullit XXI po formohet nga bisedat me algoritme. Në heshtje dhe me efikasitet, ChatGPT po kthehet në një partner të padukshëm në vendimmarrjen personale dhe ekonomike të përdoruesve, nga mënyra si organizojnë ditën, te vendimet për karrierën, shpenzimet dhe financat.
Ajo që nisi si një mjet për të gjeneruar tekst, sot po ndikon në mënyrën si njerëzit ndihen, mendojnë dhe konsumojnë…
Nëse dikur e nisnim ditën me një filxhan kafeje dhe një faqe gazetë, sot gjithnjë e më shumë e fillojmë me një mesazh me një Inteligjencë Artificiale. Quhet ChatGPT.
Nuk është mik, nuk është terapist, nuk është koleg, por për miliona përdorues është pak nga të gjitha këto. Në vend të pyetjeve filozofike mbi qenien dhe ekzistencën, bota dixhitale e sotme ngre pyetje më të drejtpërdrejta:
“A më kupton AI-ja”? A më paragjykon”? “A më bën të ndihem mirë me veten”? Këto pyetje dikur i rezervonim për njerëzit. Tani ia drejtojmë një “makine”.
Një studim i fundit me 732 individë i botuar në “Springer Nature” zbulon një fije të hollë, por të fortë, që lidh mënyrën se si e perceptojmë ChatGPT-në me shëndetin tonë mendor.
Njerëzit që kanë më shumë besim te ky mjet dixhital raportojnë vetëvlerësim më të lartë. Ndërkohë, ata që ndiejnë se chatbot-i u përgjigjet me paragjykime apo stereotipa, përjetojnë pasiguri dhe shqetësim.
Teknologjia nuk është më thjesht mjet. Është bërë pasqyrë. Dhe ndonjëherë, pasqyra kthen mbrapsht më shumë se sa kemi pritur.
Këto marrëdhënie të reja, mes njeriut dhe algoritmit, po zënë rrënjë në mënyrë të heshtur, por të qëndrueshme.
Bisedat me ChatGPT nuk janë më veç kërkesa për informacione, janë ndërveprime me ndikim emocional.
Në thelb të këtyre ndryshimeve është një fenomen i ri: brendia e marrëdhënies me një entitet johuman. Çfarë ndodh kur një makinë bëhet pjesë e mekanizmave tanë të ndërtimit të vetëbesimit, të përballimit të ankthit apo të kërkimit të miratimit?
Kjo është pyetja e shekullit. Dhe për herë të parë, përgjigjja nuk vjen nga psikologjia klasike, por nga një algoritëm që mëson çdo ditë nga miliarda ndërveprime.
Për zhvilluesit e Inteligjencës Artificiale, këto gjetje janë thirrje për përgjegjësi. Tonet, nuancat, mënyra si një chatbot përgjigjet ndaj një shqetësimi emocional apo pyetje personale, nuk janë më çështje stili, janë çështje ndikimi psikologjik.
Sepse, për përdoruesin e sotëm, një bisedë me AI-në nuk është më thjesht një kërkim i shpejtë. Është një moment reflektimi. Dhe siç duket, një faktor i mirëqenies mendore.
Në një epokë ku kufijtë mes njeriut dhe teknologjisë bëhen gjithnjë e më të mjegullt, një gjë është e sigurt: mënyra se si flasim me makinat po i jep formë mënyrës se si flasim me veten.
Dhe ndoshta, për herë të parë në histori, duhet të pyesim jo vetëm çfarë thotë teknologjia, por si na bën të ndihemi.
Çfarë po ndodh?
Në sipërfaqe, një bisedë me Inteligjencën Artificiale mund të duket e thjeshtë: një pyetje, një përgjigje. Por në prapaskenë, ndodh diçka më delikate: njerëzit fillojnë të projektojnë ndjenja, të krijojnë varësi emocionale, të kërkojnë qetësi në tonin neutral të makinës.
ChatGPT nuk i njeh përdoruesit e tij, por ata ndihen gjithnjë e më të kuptuar prej tij.
Fenomeni po zgjon interes në qarqet akademike dhe psikologjike. Disa studiues po e quajnë “efekti i pasqyrës së butë”: kur AI nuk reagon si njeri, nuk ndërpret, nuk kundërshton, por thjesht të kthen një reflektim të përpunuar dhe të saktë të asaj që ti ke thënë. Dhe kjo, në një kohë kur komunikimi me njerëzit shpesh është i ngarkuar me tension, po rezulton çuditërisht çliruese.
Ka dhe një anë tjetër të medaljes: një chatbot që të jep gjithmonë të drejtë, që të përgjigjet sipas mënyrës tënde të të menduarit, mund të forcojë një ndjesi të rreme sigurie.
Mund të lërë njerëzit pa sfidë, pa debat, pa përballje me të kundërtën. Dhe për dikë që vuan nga ankthi ose vetmia, kjo mund të jetë më shumë strehë sesa zgjidhje.
Ndërkohë, zhvilluesit e Inteligjencës Artificiale janë përballë një dileme të re: kur krijon një chatbot që tingëllon empatik, ku mbaron ndihma dhe ku fillon ndërhyrja në psikikë?
A duhet që një mjet teknologjik të jetë i kujdesshëm në mënyrën si ndërvepron emocionalisht? Dhe nëse po, si matet kjo etikë në gjuhën e algoritmeve?
Të dëgjohesh më shumë nga AI
Përdorimi i shpeshtë i ChatGPT ka filluar të ndikojë ndjeshëm në mënyrën se si individët marrin vendime në jetën e tyre, që nga ato më të thjeshtat, si zgjedhja e një veshjeje deri te vendimet më të rëndësishme.
Psikologia Ermela Shllaku, vëren se ky ndikim lidhet me mënyrën se si Inteligjenca Artificiale ofron mbështetje të menjëhershme dhe të qasshme.
“ChatGPT funksionon si një lloj mbështetjeje e jashtme. Ti futesh në çdo moment dhe merr informacion për atë që kërkon, por ndryshe nga Google apo Wikipedia, informacioni këtu është më i konkretizuar dhe më i kuptueshëm”, – shpjegon ajo.
Kjo qartësi dhe afrim emocional me përmbajtjen mund të krijojë një ndjesi sigurie për përdoruesit.
“Individët ndihen më të sigurt për atë që lexojnë, sepse marrin pikërisht atë që kërkojnë, në një gjuhë të thjeshtë dhe jo gjykuese”, – thekson psikologia Shllaku.
Megjithatë, ajo ngre alarmin se përdorimi i tepruar mund të ketë pasoja të rënda për zhvillimin mendor dhe autonominë e individit.
“Kur gjithçka të vjen gati, nuk je më i detyruar të përdorësh funksionet e tua njohëse, inteligjencën, përpunimin e informacionit apo arsyetimin. Dhe kjo sjell dobësim të kapaciteteve mendore”, – thotë ajo.
Psikologia e sheh këtë si një formë të re varësie dixhitale, të krahasueshme me rrjetet sociale si Instagram apo TikTok, por që ndryshon në thelb.
“Në këtë rast nuk kemi varësi krahasuese, ku ti ndjek të tjerët, por një marrëdhënie të brendshme, më intime, me një entitet dixhital që të përgjigjet vetëm ty”, – shpjegon ajo.
Kjo marrëdhënie e drejtpërdrejtë me një mjet që nuk të gjykon, nuk të refuzon dhe të dëgjon gjithmonë, bëhet edhe më e fortë në moshat e adoleshencës.
Sipas saj, adoleshentët janë veçanërisht të rrezikuar, pasi shpesh ndihen më të pranuar dhe më të lirë për të shprehur veten nëpërmjet ChatGPT.
“Adoleshentët ndihen të dëgjuar. Aty nuk i gjykon askush, nuk i ndërpret dhe nuk i refuzon. Kjo është diçka që shumë prej tyre ndiejnë se u mungon në botën reale”, – shton znj. Shllaku.
Por çfarë ndodh kur kjo marrëdhënie me një mjet dixhital bëhet intensive dhe e shpeshtë?
“Nëse një adoleshent komunikon vazhdimisht me një chatbot, rrezikon të zëvendësojë marrëdhëniet e vërteta njerëzore me një formë artificiale sigurie dhe dashurie”, – paralajmëron psikologia.
Ajo e quan këtë “një marrëdhënie me një pajisje robotike”, që në raste ekstreme mund të çojë në vetizolim apo izolim social, duke krijuar ndjesinë e rreme se po plotësohen nevojat emocionale.
Ndikimi shkon edhe më tej, duke ndikuar në vetëbesimin dhe ndjenjën e vetërealizimit.
“Kur çdo gjë u ofrohet gati, adoleshentët nuk kanë më hapësirë për të provuar veten, për të bërë gabime apo për të mësuar nga to. Kjo i bën të ndihen të paaftë për të marrë vendime të pavarura”, – thekson znj. Shllaku.
Ajo shton se edhe sjellja konsumatore ndikohet, pasi “AI ka aftësinë të sugjerojë produkte që ndoshta nuk i duhen përdoruesit, por që i blejnë vetëm sepse ‘Chat i tha’”.
Pavarësisht sfidave, psikologia thekson se teknologjia nuk duhet parë si armik.
“Nuk mund ta sulmojmë teknologjinë vetëm sepse sjell rreziqe. Ajo ka edhe anë pozitive, ndihmon në shumë situata, por sfida është të mësojmë si ta përdorim me vetëdije”, – nënvizon Shllaku.
Sipas saj, ky edukim duhet të fillojë në familje: “Ne si prindër kemi përgjegjësinë të flasim për ChatGPT me fëmijët tanë çdo ditë, jo vetëm për anët pozitive, por edhe për ato negative. Kjo është mënyra për të ndërtuar një marrëdhënie të shëndetshme me Inteligjencën Artificiale”.
Për të shmangur varësinë, ajo sugjeron që fëmijët të shtyhen drejt krijimit të marrëdhënieve reale dhe të pasura me ndjenja.
“Duhet t’i ndihmojmë të kuptojnë se AI nuk mund të zëvendësojë njeriun, me të gjitha ngjyrat e tij, dashurinë, empatinë, frikërat dhe tolerancën”, – thotë ajo.
Dhe mbi të gjitha, prindërit duhet të tregojnë mirëkuptim: “Adoleshentët po kalojnë një fazë shumë delikate dhe është e natyrshme që të gabojnë. Le t’i lëmë të gabojnë, që të mësojnë dhe të ndërtojnë vetëbesimin e tyre”.
Varësia
Psikologia Ermela Shllaku e sheh këtë si një formë të re varësie dixhitale, të krahasueshme me rrjetet sociale si Instagram apo TikTok, por që ndryshon në thelb.
“Në këtë rast nuk kemi varësi krahasuese, ku ti ndjek të tjerët, por një marrëdhënie të brendshme, më intime, me një entitet dixhital që të përgjigjet vetëm ty”, – shpjegon ajo.
Kjo marrëdhënie e drejtpërdrejtë me një mjet që nuk të gjykon, nuk të refuzon dhe të dëgjon gjithmonë, bëhet edhe më e fortë në moshat e adoleshencës.
Ana ekonomike
Për herë të parë, një Inteligjencë Artificiale po ndërhyn jo në prodhim apo në analizë të dhënash, por në një terren delikat: psikologjinë e konsumatorit.
Bisedat me ChatGPT po zëvendësojnë kërkimet e lodhshme në Google, këshillat spontane me miqtë, madje shpesh edhe konsultimet me profesionistë.
Dhe kjo nuk është pa pasoja. Kur përdoruesit ndihen të kuptuar apo të përforcuar emocionalisht nga një chatbot, ata janë priren të marrin vendime më të shpejta sipas studimeve të fundit, ndonjëherë më impulsive në sfera që variojnë nga blerjet online te zgjedhjet e karrierës apo marrëdhëniet me financat.
Për shembull, psikologët pohojnë se, një punonjës që ndien stres të vazhdueshëm në vendin e punës mund të përdorë ChatGPT si një formë të shpejtë “ventilimi”, por në mungesë të ndërveprimit njerëzor, përkrahja virtuale mund të përkthehet në vendime drastike: dorëheqje të nxituara, ndryshime profesioni, ose orientim drejt punëve të pavarura.
E gjithë kjo ndodh pa një analizë të thellë ekonomike, por si rezultat i një ndjesie subjektive që chatbot-i e ushqen pa dashje.
Nga ana tjetër, ka dhe efekte pozitive. Përdoruesit që ndihen më të sigurt dhe të mbështetur pas ndërveprimeve me AI-në kanë më shumë gjasa të marrin nisma ekonomike, të hapin një biznes, të kërkojnë rritje page, apo të menaxhojnë më mirë buxhetin personal.
Në këtë kontekst, ChatGPT nuk është thjesht një mjet komunikimi, por një katalizator psikologjik për sjellje të reja ekonomike.
Kjo ngre një pyetje të re për kohët moderne: nëse Inteligjenca Artificiale ndikon në mënyrën si mendojmë dhe ndiejmë, a duhet të fillojmë ta llogarisim atë si një aktor të ri në modelet e sjelljes së konsumatorit dhe të tregut të punës?
Përdorimi i ChatGPT nga studentët, sfidat dhe pasojat në tregun e punës
Përdorimi i ChatGPT nga studentët shihet me shqetësim, jo vetëm në përfundimin e detyrave të tyre apo përgjegjësive akademike, por edhe kur përballen me tregun e punës. Kështu shprehet Fatjona Murati, drejtuese e “Cancri Marketing”.
Sipas saj, po krijohet një brez i ri, një “armatë” njerëzish që në të ardhmen mund të kenë probleme serioze me mendimin kritik, logjikën, zgjidhjen e problemeve dhe procesin e krijimit të ideve, “brainstorming”-un, që është thelbësor në shumë vende pune.
“ChatGPT përdoret për nxitjen e ideve, por ka kaluar në një përdorim të gabuar: për çdo gjë, çdo tezë, çdo provim, studentët ia lënë platformës. Mjafton të japësh një prompt të strukturuar mirë dhe t’i thuash që je student në një fushë të caktuar dhe AI të jep gjithë përmbajtjen.
Në këtë mënyrë, mësuesit dhe sistemi arsimor nuk janë më në gjendje të kuptojnë realisht cilat janë aftësitë e vërteta të një studenti. Kjo krijon boshllëk të madh mes njohurive reale dhe asaj që paraqitet në letër”, – thotë znj. Murati.
Në tregun e punës, sipas saj, ka një rrezik të dukshëm për profesionet e teknologjisë së informacionit.
“Shumë mendojnë se IT nuk është i rrezikuar, por në fakt, janë pozicionet junior, veçanërisht ato që përfshijnë punë rutinë si data entry apo kodime të thjeshta, që mund të zëvendësohen lehtësisht nga Inteligjenca Artificiale.
Për kompanitë që rekrutojnë, nuk ka më shumë nevojë për studentë që të bëjnë internship-e për punë të thjeshta.
Këto detyra mund të kryhen nga një punonjës me përvojë, që menaxhon dhe prodhon më shumë në më pak kohë. Studentët përballen me vështirësi për t’u integruar në tregun e punës, sepse nuk kanë më “hyrjen” e parë pra praktikën.
Kjo është një sfidë e madhe. Nga njëra anë kemi profesione që po zhduken, nga ana tjetër po hapen profesione të reja për të cilat nuk ka as shkollim, as trajnime të strukturuara. Gjithçka po bëhet në mënyrë autodidakte”, – thotë marketerja.
Rreziku tek të rinjtë
Fatjona Murati, drejtuese e “Cancri Marketing” pohon se po krijohet një brez i ri, një “armatë” njerëzish që në të ardhmen mund të kenë probleme serioze me mendimin kritik, logjikën, zgjidhjen e problemeve dhe procesin e krijimit të ideve, “brainstorming”-un, që është thelbësor në shumë vende pune.
“ChatGPT përdoret për nxitjen e ideve, por ka kaluar në një përdorim të gabuar: për çdo gjë, çdo tezë, çdo provim, studentët ia lënë platformës. Mjafton të japësh një prompt të strukturuar mirë dhe t’i thuash që je student në një fushë të caktuar dhe AI të jep gjithë përmbajtjen. Në këtë mënyrë, mësuesit dhe sistemi arsimor nuk janë më në gjendje të kuptojnë realisht cilat janë aftësitë e vërteta të një studenti. Kjo krijon boshllëk të madh mes njohurive reale dhe asaj që paraqitet në letër”, – thotë znj. Murati./MONITOR