Këtë të enjte, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, në fjalën e tij në Kuvend ka ngritur shqetësimin për skandalin “Balluku”.
Ai theksoi se prej dy muajsh, ka kërkuar interpelancë me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe asnjëherë nuk u mor parasysh.
Gjithashtu, Shehaj tha se ka ardhur koha që mazhoranca të japë llogari.
“Nuk e di, zoti kryetar, se si do ta zgjidhim këtë problem të mohimit të interpelancës. Kam 2 muaj që kam kërkuar interpelancë me ministren Balluku, por tani ajo nuk është më ministre. I shpëtoi interpelancës, por përfundoi edhe më keq, sepse tani kam interpelancë me kryeministrin. Unë e kuptoj që doni të shmangni përgjegjësinë, por nuk shpëtoni dot. Ju thatë se shpëtuat kur u arrestua Veliaj, por nuk mbaroi aty; shkuat te Balluku dhe tani po shkon tek Mirlinda. Nuk ka më – duhet të jepni llogari. Rama çdo ditë kërcënon me broçkulla. Tani ka nisur edhe ministri i drejtësisë me postime, duke folur për ndarje pushtetesh. Kujtohet që ka bërë një takim me një ministër italian para 2 muajsh. Ju ka ardhur fundi”, tha Shehaj.
Taulant Balla, i është kundërpërgjigjur duke u shprehur se Shehaj synon që të dalë interesant në rrjete sociale dhe bërtet në Kuvend.
Ndërsa e paralajmëroi që të mos flasë Lulzim Basha, pasi sipas tij, mund të tregojë sa para ka dhënë për të marrë mandatin e deputetit.
“Për t`u bërë interesant për rrjetin social, vjen bërtet dhe kujton se është interesat kur të përmendësh emrin tim laj gojën. Por bëj gargare me ujë të kripur Vlorë. Se po u pendua Lul Basha do tregojë se sa para ke dhënë për të marrë mandatin”, tha ai.
