Taravari për “Zërin e Amerikës: Gjuha Shqipe duhet të përfshihet në Kushtetutë

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në intervistën e tij për “Zërin e Amerikës”, nga Uashingtoni, foli për situatën aktuale politike në Maqedoninë e Veriut.

Në lidhje me ndryshimet e mundshme të Kodit Zgjedhor, Taravari u shpreh se partia e tij është për lista të hapura, ndërsa mbetet për t’u diskutuar se sa njësi zgjedhore duhet të ketë.

“Kërkesat e partive më të vogla maqedonase janë për një njësi zgjedhore dhe të ketë lista të hapura. Për lista të hapura jemi të gjithë pro, pa përjashtim. Mbetet për t’u disktuar nëse do të kemi një njësi zgjedhore, 6 njësi zgjedhore sikurse tani ose propozimi i partisë sonë që është 8 njësi zgjedhore”, u shpreh Taravari.

Në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, kryetari i ASH-së, u shpreh se partia mbështet ndryshimet kushteteuse dhe uroi që sa më shpejtë të ndodhin këto ndryshime.

“Kërkesa jonë është heqja e 20%. Në Maqedoni gjuhën shqipe e kemi zyrtare, por quhet gjuha të cilën e përdorin 20% e qytetarëve dhe kërkesa jonë është që 20% të zëvendësohet me gjuhën shqipe. Këtë e pëkrahin të gjitha partitë politike shqiptare, por edhe partitë politike maqedonase deklarativisht”, u shpreh kreu i ASH-së, Taravari.

Ai shtoi se kërkesa e tyre do të shkojë deri në fund, në mënyrë që gjuha shqipe edhe zyrtarisht të figurojë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Në pyetjen se si dilet nga situata me dështimin e gjyqësorin të Maqedonisë, Taravari theksoi se, shteti i së drejtës është një nga pikat më të dobëta të Maqedonisë.

“Shteti i së drejtë është njëra prej pikave më të dobëta të funksionimit të shtetit të Maqedonisë dhe për këtë kemi marrë plot rekomandime edhe prej faktorit ndërkombëtar, por edhe prej ambasadorëve me relevancë. Tani Ministrinë e Drejtësisë e udhëheq kuadri i Aleancës për Shqiptarët dhe besoj se tashmë kanë nisur disa procedura për t’i stabilizuar gjykatat dhe prokurorinë”, u shpreh Taravari.

Ai beson se duhet të gjendet një mënyrë për ta pastruar sistemin gjyqësor, siç është vetingu ose ndonjë formë tjetër.

“Besueshmëria e qytetarëve në sistemin gjyqësor është 4-8%. Kjo është katastrofale. Besoj se gjatë kësaj periudhe, me ndryshimet që do t’i propozojmë si Ministri e Drejtësisë, kjo besueshmëri do të rritet dhe qytetarët do ta vërejnë se ka ndryshime në sistemin gjyqësor”, deklaroi kryetari i ASH-së, Arben Taravari, për zërin e Amerikës.