Tanke, raketa dhe avionë, Ballkani në prag të një gjakderdhjeje tjetër

Nga Vuk Vuksanovic & Marija Ignjatijevic “War On The Rock

Askush nuk e dëshiron një garë armatimi në Ballkan, edhe nëse ajo është një “mini-garë”.

Në maj të këtij vitit, kur Kroacia bleu një duzinë avionësh luftarakë francezë të përdorur  “Rafale” për shumë 1.2 miliardë dollarë, agjencia amerikane e lajmeve “Asociated Press” e përshkroi atë si pjesë të një “gare të vogël armatimi” me Serbinë.

Në tetor, edhe “The Economist” raportoi mbi garën e re armatimeve ku është futur Serbia, me buxhetin e saj ushtarak vjetor prej 1.4 miliardë dollarësh. Shqetësimi i mediave është më se i justifikuar. Ndërsa Serbia dhe Kroacia po ndërtojnë me shpejtësi arsenalet e tyre ushtarake, përshkrimi i këtij procesi si “një garë e thjeshtë armatimesh” e keqkupton atë që është realisht në lojë.

Në procesin e modernizimit të pajisjeve ushtarake të vjetruara, të mbetura që nga epoka jugosllave, Beogradi dhe Zagrebi nuk nxiten nga konkurrenca strategjike apo frika e konfliktit me njëri-tjetrin. Përkundrazi, elitat në të dyja vendet po e përdorin procesin e blerjes së armëve të reja, për të çuar përpara qëllimet më të gjera në politikën e jashtme, dhe më e rëndësishmja, për të përmirësuar pozitën e tyre politike të brendshme.

Perspektiva e një lufte të re midis tyre nuk është realiste, por përdorimi i blerjes së armëve si një mundësi për të ushtruar presion, mund ta destabilizojë rajonin. Gjatë 6 viteve të fundit, udhëheqësit serbë dhe ata kroatë, e kanë ushqyer me kënaqësi narrativën e një gare armatimesh, teksa janë përfshirë në një sërë blerjesh armësh të profilit të lartë.

Lajmi i mirë është se me blerjet e kohëve të fundit, asnjëra palë nuk ka shkelur deri tani dispozitat e kontrollit të armëve që përcakton Marrëveshja e Dejtonit. Diskutimet mbi një garë armatimesh rajonale, filluan në vitin 2015, kur Kroacia i kërkoi Shteteve të Bashkuara t’i dhuronte 16 sisteme raketore “M270 Multiple Launch” të prodhuara nga kompania “Lockheed Martin” dhe të pajisura me raketa balistike.

Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vucic, që në atë kohë ishte kryeministër, reagoi ashpër :“Ose ata duhet të ndryshojnë mendje, ose ne duhet të gjejmë një zgjidhje”. Dhe Serbia filloi ta kërkojë shpejt përgjigjen tek Rusia. Gjatë një vizite që zhvilloi në Beograd në janarin e vitit 2016, zëvendëskryeministri i Rusisë i rriti pritshmëritë duke i dhuruar Vucic një model të sistemit rus të mbrojtjes raketore S-300.

Gjatë vitit 2017, tensionet midis 2 vendeve u rritën ndjeshëm, kur qeveria kroate përmendi rindërtimin e ushtrisë serbe, si një arsye të mundshme për rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Por në fund Kroacia nuk u mori raketahedhësit amerikanë, dhe as Serbia sistemin rus S-300.

Me gjithë retorikën e nxehtë, të dyja vendet u përballën me kufizime financiare, dhe fuqitë e mëdha tek të cilat shpresonin, nuk rezultuan aq të afërta sa prisnin të dyja vendet. Gjithsesi, Beogradi dhe Zagrebi këmbëngulën në synimin e tyre për blerjen e armëve të reja, duke shpenzuar miliarda euro në marrëveshjet e mbrojtjes të nënshkruara vitet e fundit.

Në vitin 2017, kompania më e madhe serbe në fushën e mbrojtje, Yugoimport-SDPR, zhvilloi një raketë taktike “Šumadija” me një rreze veprimi mbi 280 kilometra. Për të rritur aftësitë e saj në patrullimin e hapësirës ajrore, Serbia bleu këtë vit avionë luftarakë “MIG-29” nga Rusia dhe Bjellorusia.

Përmes një përzierje shitjesh dhe donacionesh Rusia i siguroi Beogradit edhe helikopterë të transportit ushtarak “Mi-35” dhe “Mi-17”, tanket “T-72MS”, mjetet e blinduara “BRDM-2MS”, dhe një sistem raketash anti-ajrore “Pantsir S1”. Serbia nuk ka një preferencë zyrtare për pajisje nga fuqitë perëndimore apo joperëndimore.

Ajo planifikon të blejë rreth 30 helikopterë ushtarakë gjatë 2 viteve të ardhshme, disa

nga kompania shumëkombëshe evropiane “Airbus”, dhe disa nga ajo ruse “Mil Moscow Helicopter Plant”. Pasi ra dakord të blejë sistemin francez “Mistral” të raketave tokë-ajër, Beogradi po mendon të blejë sistemin kundërajrore kineze “FK-3” dhe raketave izraelite anti-blindave “SPIKE LR2”.

Blerja nga Serbia e 6 dronëve kinezë “CH-92A”, së bashku me transferimin e teknologjisë,

e kanë bërë atë vendin me më shumë dronë ushtarakë në rajon. Natyrisht edhe Kroacia ka mbajtur ritmin e saj në këtë garë. Në vitet 2015 dhe 2016, Zagrebi bleu 12 tanke “Panzerhaubitze 2000” nga Gjermania dhe 16 helikopterë “Kiowa Warrior” nga Shtetet e Bashkuara. Po ashtu bleu raketat “AGM-114 Hellfire” nga kompania “Lockheed Martin”, dhe në fundin e vitit 2020, nënshkroi një marrëveshje për modernizimin e 76 automjeteve “Bradley Fighting”, së bashku me mitralozat dhe raketat përkatëse.

Megjithatë, siç kanë vënë në dukje ekspertët e kontrollit të armëve, këto blerje ende nuk i kanë tejkaluar kufizimet e dakorduara ndërkombëtarisht. Neni IV i Aneksit 1B të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, ka qenë baza e kontrollit të armëve në Ballkanin Perëndimor që nga viti 1995.

Në teori, Kroacia dhe Serbia mund t’i përdorin armët e tyre të reja në një konflikt të ardhshëm ballkanik. Disa analistë amerikanë, thonë se Serbia mund të përdorë raketat “Šumadija” kundër fqinjëve të saj, në rast se ata do të merrnin pjesë në një tjetër fushatë të NATO-s kundër Beogradit.

Dronët e blerë nga Serbia, do të ishin instrumente të fuqishëm në një betejë hipotetike në Kosovë apo Bosnje. Nëse do të prishet status quo-ja në Bosnje, luftimet që do të pasonin, do të tërhiqnin në mënyrë të pashmangshme si Serbinë ashtu edhe Kroacinë, të cilat më pas mund të kenë rastin të përdorin arsenalet e tyre të reja.

Tanket dhe helikopterët e rinj të ushtrisë kroate, do të ishin efektivë në kufirin serbo-kroat që është përgjithësisht fushor, ndërsa Serbia mund ta balancojë situatë me raketat izraelite “SPIKE”. Por pavarësisht kësaj, si në Beograd ashtu edhe në Zagreb Bosnja ka munguar kryesisht në retorikën rreth riarmatimit.

Më e rëndësishmja, nisja e një konflikti të ri në Ballkan nuk ka asnjë kuptim politik apo ushtarak. Në fakt, nuk ka asnjë qëllim realist, të cilin Kroacia apo Serbia mund të shpresojnë ta arrijnë duke sulmuar njëra-tjetrën. Edhe për ushtritë më të fuqishme kontrolli i territoreve të banuara nga një popullsi armiqësore, është bërë pothuajse i pamundur.

Që nga viti 1995, as pakica kroate në Serbi, dhe as ajo serbe në Kroaci, nuk janë mjaft të mëdha për të shërbyer si bazë për ambiciet separatiste. Për më tepër, që nga viti 2009 Kroacia është anëtare e NATO-s. Një sulm serb ndaj Kroacisë, do të aktivizonte klauzolën e mbrojtjes kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, duke nxitur reagimin e NATO-s kundër Beogradit.

Po ashtu, NATO ka ende 3600 trupa në Kosovë si pjesë e Forcës së Kosovës, për të garantuar që mosmarrëveshja serbo-shqiptare për Kosovën të mos zgjidhet ushtarakisht. Për më tepër, lufta është bërë shumë e shtrenjtë, dhe kjo është arsyeja pse Kroacia e zëvendësoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak me një ushtri profesioniste në vitin 2008.

Serbia bëri të njëjtën gjë në vitin 2011. Ushtria serbe po përjeton humbje të vazhdueshme të kuadrit profesional. Rajoni në tërësi ka mbetur prapa në aspektin socio-ekonomik, dhe po përjeton një rënie demografike. Por nëse nuk po përgatiten për luftë, atëherë pse Beogradi dhe Zagrebi po blejnë kaq shumë armë?

Të dyja vendet po kryejnë një modernizim të vonuar të ushtrive të tyre, ndërsa e përdorin procesin për të arritur synime të tjera. Në fushën e politikës së jashtme, Serbia dhe Kroacia po përpiqen të pozicionohen, teksa ka një ankth në rritje mbi sigurinë në Evropën Lindore, dhe një thellim të tensioneve midis Rusisë dhe Perëndimit.

Për sa kohë që Perëndimi e percepton Rusinë si një kërcënim, Serbia ka mundësinë ta vërë Rusinë dhe Perëndimin kundër njëra-tjetrës. Në këtë akt balancues, ngritja e një ushtrie moderne është një qëllim por edhe një mjet. Serbia dëshiron të jetë në gjendje të blejë armë nga të gjitha palët.

Ajo shpreson që pasja e një ushtrie të frikshme, do të rrisë ndikimin e saj në të gjitha anët. Nga ana tjetër edhe Kroacia, ka përdorur të njëjtën dinamikë rajonale për të forcuar pozitën e saj në Perëndim. Për arsyet e lart-përmendura, një rikthim tek armiqësitë e egra të viteve 1990 ka shumë pak gjasa të ndodhë, por procesi aktual është ende alarmues. Ai është i rrezikshëm, pasi helmon më tej marrëdhëniet plot mosbesim midis shteteve të rajonit. /abcnews.al


Shtuar 30.12.2021 11:13