Komisioni Hetimor për 25 Prillin nuk arriti të miratojë dot planin e hetimit për zgjedhjet e 25-Prillit.
Me 7 vota kundër të PS, 3 pro të PD-së dhe një abstenim të LSI-së, mazhoranca dhe opozita nuk e gjetën sërish gjuhën e përbashkët.
Kryetari i Komisionit Enkelejd Alibeaj u shpreh se përsa kohë që nuk miratohet plani, puna e këtij komisioni mbyllet këtu dhe kjo sipas tij, tregon fytyrën e vërtetë të shumicës.
“Përsa kohë që nuk miratohet plani i hetimit nuk mund të deklarohet fillimi i hetimit, që praktikisht hetimi i këtij komisioni përfundon këtu dhe përderisa përfundon këtu, përgjegjësia ligjore dhe politike është në sytë e të gjithë publikut. Derisa të ketë një reflektim nga anëtarët që kanë votuar kundër, fatkeqësisht më duhet të deklaroj këtë që sapo thashë.
Këtu ndërpritet veprimtaria hetimore, është e qartë përse. Skenari u demaskua, nuk duan të hetojnë dhe të bëjnë publike atë që ka ndodhur në kundërshtim të ligjit dhe të votimit të kuvendit. Përsa kohë që plani i hetimit nuk mund të vazhdojë, seanca mbyllet dhe do të ketë njoftim edhe për seancën e radhës.
Fatkeqësisht ky ishte fundi i parashkruar” deklaroi ai duke u ngritur për t’u larguar nga salla.
“Mos u largoni” i kërkoi n/kryetari nga PS, Toni Gogu-Alibeajt.
Në atë moment vjen përgjigja e papritur e Alibeajt: – Tani mund të këndosh.
Mazhoranca kërkoi të miratojë plan hetimi me ndryshim, por pas debateve mbledhja u ndërpre.
“5 minuta pushim sa të largohen zhurmuesit e komisionit”, tha ai me ironi Gogu.
Kujtojmë se Partia Demokratike kërkon me ngulm hetimin e asaj që ajo e quan “masakra” elektorale e 25-Prillit./albeu.com/