Mes kërcënimeve të Benjamin Netanyhun se kërkon kokën e tij, dhe presidentit amerikan Donald Trump që i tregon botës se e dinë ku fshihet ajatollahu Ali Khamenei, por për momentin nuk e dëshiron eliminimin e tij, lideri suprem i Iranit përgjigjet me një kundër-paralajmërim.
“Në emër të profetit, beteja fillon tani”, shkroi ai në platformën X. Udhëheqësi Iranian bëri dhe një tjetër postim po në të njëjtën llogari të tij në gjuhën angleze, ku thoshte se “regjimit sionist i duhet dhënë një përgjigje e fortë. “ Ne nuk do t’u tregojmë mëshirë sionistëve”, deklaroi Khamenei.
Në ditën e gjashtë të konfliktit Izrael-Iran, nga Trumpi sakaq, mbërrin sinjali tronditës se gjithmonë e më shumë po e ngroh ideja e përdorimit të aseteve ushtarake amerikane, për goditjen e objekteve bërthamore të Iranit, dhe po i largohet idesë së një zgjidhjeje diplomatike, të cilën e mbështeste me forcë deri pak kohë më parë.
Mbi 30 cisterna ushtarake amerikane për furnizim me karburant, janë dërguar në Lindjen e Mesme gjatë ditëve të fundit, thotë CNN duke cituar dy zyrtarë amerikanë.
Nëse Presidenti Donald Trump jep urdhër që SHBA-të të përfshihen në konfliktin Izrael-Iran, cisternat mund të përdoren për të mbështetur misionet e avionëve luftarakë izraelitë kundër Iranit që kanë aftësinë e furnizimit me karburant në ajër.
Pa këtë aftësi, avionët luftarakë të Izraelit e kanë të kufizuar kohën e qëndrimit në ajër në qiellin e republikës islamike.
Edhe pse Forcat Ajrore Izraelite kanë disa avionë të tillë cisternë, ato nuk mjaftojnë për të mbështetur numrin e avionëve që Izraeli po dërgon në Iran, sipas burime ushtarake.
Izraeli njoftoi së fundi se goditi një centrifuge të pasurimit të uraniumit, e Irani po ashtu ka ndërmarrë sulme të tjera, duke bërë që sirenat të gjëmojnë dy herë gjatë natës, megjithatë korrespondentet e huaj vërejnë se ka një rënie të ndjeshme të shkallës së goditjeve nga ana e Teheranit.