Talebanët po përballen me vështirësi financiare, vetëm 0,2% e fondeve të aksesueshme

Talebanët do të përballen me vështirësi të mëdha financiare dhe pritet që sundimi i tyre në Afganistan të njohë vështirësi në fillimet e veta.

Shtypi ndërkombëtar shkruan se ata janë në nevojë urgjente për likuiditet, teksa bankat nuk kanë mjaftueshëm para ndërsa krerët e organizatës po hartojnë planet për rindërtimin e vendit pas largimit trupave të ushtrive perëndimore.

Ata u përpoqën të tërheqin kapital nga asetet e depozituara nga qeveritë afgane të këtyre 20 viteve në bankat perëndimore, që në total kapin vlerën e 10 miliardë Dollarëve.

Por këto shuma, talebanët nuk mund t’i përdorin pasi janë ngrirë me urdhër të qeverisë amerikane, nën argumentimin se talebanët janë një organizatë ekstremiste që ka marrë nën kontroll me dhunë një shtet. Për këtë aryse qeveria e re ende nuk është e besueshme se mund t’u rikthejë borxhet e deritanishme vendeve të huaja.

Burime të mediave ndërkombëtare thonë se Banka Qëndrore e Afganistanit, shumicën e aseteve në ar prej 7 miliardë Dollarësh e ka të depozituar në Bankën e Rezervës Federale në Nju Jork. 1.3 miliardë të tjera ruhen në Bankën Ndërkombëtare të Zvicrës. Të aksesueshme për momentin janë deri 0.2% e këtyre fondeve.

Të mërkurën, Banka Botërore vendosi tërheqjen nga Afganistani, ndërsa më herët edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar që gjatë dy dekadave këshilloi autoritetet afgane në reduktimin e borxhit publik nga mbi 300% në 6.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pezulloi operacionet. Shpresat kryesore tashmë varen nga ndihmat kineze./albeu.com


Shtuar 26.08.2021 20:03