Në ligjin për Taksat Kombëtare ka një paragraf. Është neni që përcakton taksimin e kromit. Dhe neni thotë shprehimisht:
“Përqindja e rentës minerare për përmbajtjen e mineralit metalor në nënproduktin minerar është në masën sa 3/7 e normës së rentës për vitin 2019, 3/8 e normës së rentës për vitin 2020 në masën 0% për periudhën nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri në fund të vitit 2023 dhe 1/3 e normës së rentës për vitin 2024 e në vijim”
Ky nen ligji është unikal në planet. Nuk ka rast të dytë në botë, që një qeveri të ketë vendosur taksë me thyesa. Dhe arsyeja se pse neni është shkruajtur ashtu sigurisht që nuk është interesi publik. Pjesa dërrmuese e deputetëve që kanë votuar ligjin, nuk e kanë kuptuar fare se çfarë kanë miratuar. Megjithatë historia e shpjeguar thjeshtë është kështu.
Në fund të vitit 2014, ministria e Financave dërgoi në Parlament paketën e re fiskale. Njëra nga masat që propozonte paketa ishte ulja e taksës për kromin që përpunohet në vend në formën e ferrokromit sepse kjo ishte kërkuar nga një grup interesi i quajtur “Shoqata e Mineraleve të Shqipërisë” për të nxitur përpunimin e mineralit në vend duke përfituar më shumë vlerë të shtuar.
Në atë kohë, renta e kromit bruto ishte 6 për qind. Sipas propozimit të qeverisë renta që paguhej në eksport për kromin e përpunuar në vend u bë sa 2/3-at e rentës për kromin që eksportohej bruto, pra 4 për qind. Masa u votua nga Parlamenti. Në atë kohë Shqipëria kishte vetëm, një përpunues të kromit, kompaninë Albchrome, e cila sapo ishte blerë nga grupi Balfin. Ky ishte vetëm ndryshimi i parë.
Çmenduri shqiptare
Dy vjet më vonë, në fund të vitit 2016, qeveria propozoi dy favorizime të tjera për përpunuesit e kromit. Ndryshimi i parë ishte ai që e ulte rentën nga 6 për qind në 3 për qind, për kromin që kompanitë prodhuese shisnin tek përpunuesit. Pra, nëse një galeri kromi e çonte kromin direkt në eksport do të paguante 6 për qind rentë. Por nëse ja shiste atë përpunuesve vendas do të paguante vetëm 3 për qind. Masa detyronte prodhuesit e kromit t’ia shisnin atë përpunuesve.
Ndryshimi i dytë ishte ulja sërish e rentës për kromin e përpunuar. Ajo që në fund të 2014-s u ul sa 2/3-tat e rentës së kromit bruto tani propozohej të ulej më tej duke u bërë sa 1/2-at. Pra nëse për kromin bruto renta mbetej 6 për qind, për kromin e përpunuar u bë 3 për qind.
Këtë herë propozimi kishte ardhur nga Shoqata e Minierave e Shqipërisë. Në atë kohë në Shqipëri ishin vetëm dy kompani që përpunonin krom si përfituese të këtij lehtësimi. Por sigurisht pjesën e luanit e kishte Albchrome. Ky ishte ndryshimi i dytë.
Ndryshimi i tretë do të vinte dy vjet më vonë. Në fund të vitit 2018, qeveria propozoi sërish ndryshimin e rentës. Këtë herë duke rritur më tej rentën minerare për kromin që eksportohej bruto nga 6 për qind në 9 për qind. Pra për t’i detyruar edhe më shumë prodhuesit e kromit që ta shisnin kromin e tyre tek uzinat vendase të përpunimit.
Këtë herë justifikimi i qeverisë ishte se Shqipërisë po i mbaronte kromi dhe duhej dekurajuar sa më shumë eksporti i kromit bruto, me qëllim që të nxitej përpunimi në vend. Përfituesit e lehtësimit ishin tre kompani. Përvec dy ekzistueseve, në vitin 2017 ishte hapur dhe një uzine e tretë e përpunimit të kromit në Refraktare të Elbasanit nga kompania GSA. Por sigurisht përpunuesi më i madh mbetej gjithmonë Albchrome.
Po sikur ta heqim fare?
Në fund të vitit 2020, erdhi qershia mbi tortë. Për shkak të rënies së çmimeve të kromit si pasojë e pandemisë, Shoqata e Minierave të Shqipërisë u bë e gjallë sërish. Këtë herë u propozua që taksa për kromin e përpunuar të hiqej fare për tre vjet.
Masa u justifikua si e domosdoshme për të mbajtur në këmbë industrinë minerare të vendit, e cila në të kundërtën do të falimentonte duke nxjerrë të papunë të gjithë minatorët.
Këtë herë veç kromit përfituan dhe uzinat e përpunimit të bakrit. Parlamenti e hoqi taksën. Ishte koha e arte e brezit të Kërpëratave.
Por çmimet e kromit u rekuperuan sërish. Dhe 8 muaj pasi Parlamenti e hoqi taksën për mineralet e përpunuara, Albchrome u shit nga Balfin tek grupi turk Yildirim, tashmë me një çmim më të mirë edhe për faktin se kompania blerëse do të punonte dy vjet pa taksa.
Rezultati? Kromi i Shqipërisë nxirret nga nëntoka dhe qytetarët nuk përfitojnë asgjë. Sepse renta është zero.
Rezultati i dytë? Shikoni nenin në foto. Ai është dëshmia më e qartë se çfarë qeverie ka Shqipëria./oligarkia/