Familjet dhe bizneset do të paguajnë një taksë “individuale” sa i takon mbetjeve që gjerojnë e cila do të ndjekë parimin “Paguaj sipas hedhjes”. Në Programin Kombëtar të Parandalimit të Krijimit të Mbetjeve nxjerr për konsultim, qeveria parashikon këtë si një ndër masat që do të zbatohen në vazhdim. Konkretisht do të synohet që të shkohet drejt një sistemi të ri që inkurajon riciklimin.
“Paguaj sipas hedhjes (PAYT) është parimi që ofron nxitje ekonomike në reduktimin e mbetjeve, duke inkurajuar qytetarët të riciklojnë më shumë dhe të reduktojnë krijimin e tyre. Sistemi PAYT, konsiderohet një nga instrumentet ekonomikë më efektivë për reduktimin e mbetjeve dhe promovimin e konsumit të përgjegjshëm.
Zbatimi i tij mundëson vendosjen e tarifave të balancuara të mbetjeve bashkiake, sipas të cilit çdo familje ose biznes, paguan sipas sasisë aktuale të mbetjeve të gjeneruara, në vend të një tarife fikse.
Në këtë mënyrë, familjet dhe bizneset do të nxiten të ndajnë sa më shumë mbetje të riciklueshme të jetë e mundur (për të cilat nuk do të paguajnë) dhe do të paguajnë një tarifë mbetjesh vetëm për mbetjet e mbetura të përziera” thuhet në masën 6 të këtij programi, raporton Monitor.al.
Sipas qeverisë zbatimi i PAYT kërkon ndryshime thelbësore si në mënyrën e ndarjes së tarifave të mbetjeve bashkiake midis familjeve dhe bizneseve ashtu dhe në sistemin e grumbullimit të mbetjeve bashkiake. Kështu modeli i grumbullimit në pika të përbashkëta duhet të zëvendësohet gradualisht me përdorimin e koshave/kontejnerëve individualë duke mundësuar matjen e sasisë së mbetjeve për familje dhe subjekte biznesi.
Plani që ky sistem i ri të vihet në jetë është brenda vitit 2029 duke i vënë bashkitë para detyrimit të plotësimit të kuadrit dhe logjistikës që kërkon kjo praktikë e re.
“Paralelisht me zhvillimin e modeleve për grumbullimin e mbetjeve, MM do të iniciojë ndryshimet e nevojshme ligjore për adoptimin e sistemit PAYT duke mundësuar zbatimin e tarifave të bazuara në peshë dhe/ose vëllim për shërbimet bashkiake të menaxhimit të mbetjeve. Bashkitë do të fillojnë të aplikojnë tarifimin PAYT për familjet dhe subjektet e biznesit, jo më vonë se viti 2029” thuhet në dokument.
