Takimi Meta – Balla për datën e zgjedhjeve, Bardhi: Konsultimet mes trekëndëshit të Bermudës ndodhin çdo ditë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas takimit të presidentit Ilir Meta me kreun e Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, për t’u konsultuar në lidhje me datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 bashki.

Bardhi shkruan se takime mes Trekëndëshit të Bermudës ndodhin çdo ditë.

“Asnjë habi nga qëndrimi i sotëm i Ilir Metës! Konsultimet mes trekëndëshit të Bermudës ndodhin çdo ditë, para dhe pas kamerave. Sot ishte teatri i radhës para kamerave”.

Kujtojmë se më herët, në një prononcim për media, Meta u pyet pse nuk e ka ftuar PD-së, dhe në përgjigje ai tha se ka qenë një ftesë informale.

Menjëherë ka ardhur reagimi i Presidencës. Tedi Blushi përmes një postimi në Facebook shkruan:

“Ç’na polli belaja me këtë! Ai ka të drejtë të takohet fshehurazi me kryetarin e shumicës në Kuvend, ndërsa ne nuk duhet ta takojmë ditën dhe me kamera. Çudi e madhe!”/albeu.com