Rritja e kërkesës, zhvlerësimi i euros, kostot e punonjësve dhe energjisë kanë bërë që hotelet dhe restorantet të rishikojnë çmimet mes 10-30% në sezonin turistik të këtij viti. Veriu i vendit mbetet më ekonomik ku pushojnë vendasit që duan pushime të lira dhe shqiptarët e Kosovës.
Durrësi vijon të mbajë fronin e turizmit të organizuar, teksa Ksamili dhe Saranda janë bërë “imazhi” ndërkombëtar i turizmit shqiptar.
Interesi për Shqipërinë ka rritur numrin e banesave që kthehen në struktura mikpritjeje.
Kjo tendencë është bërë e fortë në fshatrat e bregdetit ku vila e shtëpi të tëra, që mbaheshin mbyllur, kanë hapur dyert për turistët. E marketuar si një destinacion i lirë, Shqipëria po befason një pjesë të mirë të turistëve, duke ofruar mundësi akomodimi për çdo kategori që varion 30 – 450 euro/nata.
Nga Nertila Maho
Meri vendosi që së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre të rezervonte pushimet e saj në Korfuz në fillim të korrikut. Zakonisht kishte zgjedhur Himarën dhe pa ndonjë rezervim afatgjatë por këtë herë, teksa ishte interesuar në fillim të qershorit, çmimet i ishin dukur të kripura, ndërsa hoteli ku kishte qëndruar zakonisht nuk kishte akomodim.
Pasi bëri një llogari vendosi, që një paketë prej 1340 euro në Korfuz, në një resort full board (fjetje dhe gjithë vaktet) për shtatë net, ishte një zgjidhje e mirë dhe ekonomike, brenda buxhetit që kishin në dispozicion.
Jashtë paketës shpenzoi (me dëshirë) vetëm 250 euro për dy darka dhe për blerje suveniresh. Sipas saj, në Shqipëri, ndoshta mund të kishte shpenzuar më pak ashtu siç mund të kishte shpenzuar më shumë, sepse surprizat nga një restorant apo lokal, në tjetrin janë diçka me të cilën është mësuar dhe perceptimi i saj është që çmimet janë rritur.
Edhe këtë vit, faturat e kripura nga bregdeti shqiptar që bëjnë xhiron tradicionale të rrjetit nuk kanë munguar nëse flasim për restorante, akomodim apo shezlone.
Ajo që ka ndryshuar është fakti që janë më të rralla, dhe reagimi është më i zbehtë. Kjo tregon se tashmë realiteti i ri turistik i Shqipërisë, si një destinacion ndaj të cilit po shfaqet interes i lartë e ka bërë më të pranueshëm edhe rritjen e çmimeve.
Operatorët turistikë pohojnë se rritja e çmimeve në akomodim luhatet mesatarisht në 10-30% përgjatë bregdetit, me shtrenjtim më të ndjeshëm në pjesën qendrore dhe Jug të vendit si rezultat i rregullimit të kostove më të larta, zhvlerësimit të euros, si dhe shtimit të kërkesës.
Nga treguesit e deritanishëm, viti 2023 pritet të shënojë rekord të ri të numrit të vizitorëve ndërkohë që do të ketë efekt zinxhir në konsum dhe të ardhurat e përgjithshme për ekonominë, por ndikimi real mbetet për t’u parë.
Rritja e interesit për Shqipërinë si destinacion është padyshim lajmi më i mirë në këtë sezon veror. Por cilat janë në fakt tendencat që po shfaqen nga Veriu në Jug sa u takon vizitorëve, çmimeve, investimeve dhe përballimit të sezonit me një forcë punëtore të reduktuar?
Veriu, pjesa më ekonomike e bregdetit, preferohet nga Kosova dhe vendasit
Velipoja dhe Shëngjini janë aktualisht pjesa më ekonomike e bregdetit në lidhje me çmimet në akomodim si dhe baret dhe restoranteve.
E nisur prej disa vitesh, por e konsoliduar më shumë këtë vit, strukturat hoteliere janë angazhuar që të krijojnë partneritete me agjencitë turistike të Kosovës duke synuar një turizëm të organizuar.
Janë me dhjetëra struktura në Velipojë e Shëngjin që janë angazhuar në krijimin e paketave half board, ku turistit i sigurohet në vlerë fjetja, mëngjesi dhe darka.
Duke pasur parasysh situatën me zhvlerësimin e euros dhe një tendencë më të madhe për të kursyer, operatorët pohojnë se ofertat janë përshtatur edhe në pikun e sezonit, duke ofruar opsionin dy net dhe tre ditë deri në 10 net dhe 11 ditë.
Pamundësia për të bërë pushime të gjata është reflektuar te shitja më masive e paketave mesatare, ku koha e qëndrimit kryesisht në sezon fokusohet në 4-5 net.
Ndërkohë paketat fillojnë nga 50 euro për dy net e tre ditë e deri në 80 euro në ditë/personi. Operatorët pohojnë se është rritur numri i turistëve nga Kosova që kanë zgjedhur këtë rajon por vihet re edhe një prani më e lartë e vendasve, kryesisht familje.
Sipas tyre, kjo ka të bëjë edhe me faktin që ofrimi i paketave me fjetje dhe ushqim e ka bërë më tërheqëse opsionin e një dhome ku mund të gatuash vetë, por rritja e kërkesës duket se ka nxitur edhe këtë segment. Krahasuar me një vit më parë, në lidhje me akomodimin, pa përfshirë ushqimin, Velipoja dhe Shëngjini kanë shënuar të njëjtën rritje me rreth 20% të mesatares së ulët të çmimeve.
Kjo do të thotë që zakonisht, një dhomë me çmim ekonomik që më parë ishte 25 euro tashmë është 30 euro. Mesatarja e sipërme e çmimeve është rritur me 10-12% për Velipojën dhe Shëngjinin dhe kjo ka të bëjë me rritjen e shërbimit dhe strukturave cilësore.
“Pjesa veriore e bregdetit, kryesisht plazhet e Velipojë – Shëngjin paraqitet me përmirësime cilësore, janë shtuar hotelet dhe resortet, por ka një ofertë më ekonomike, duke tërhequr kryesisht pushuesit nga vendi dhe Kosova”, – pohon Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Hotelierëve.
Velipoja e Shëngjini
Paketat fillojnë nga 50 euro për dy net e tre ditë e deri në 80 euro në ditë/personi. Operatorët pohojnë se është rritur numri i turistëve nga Kosova që kanë zgjedhur këtë rajon por vihet re edhe një prani më e lartë e vendasve, kryesisht familje.
Durrës e Kavajë, mbizotëron turizmi i organizuar, në krye qëndrojnë polakët
Rajoni i bregdetit të Durrësit dhe Kavajës po sheh çdo vit e më shumë rritje të turizmit të organizuar. Nordikët kanë vazhduar të vijnë edhe pse këtë herë, por jo me kontrata garancie.
Kjo kategori ka “braktisur” Sarandën nga ku vinin përmes Korfuzit, për të qëndruar kryesisht në Golem dhe kjo, sipas operatorëve turistikë lidhet me kushtet që ofron pjesa qendrore e bregdetit.
“Turistët e organizuar në Sarandë janë të paktë në numër në krahasim me vitet e shkuara, pasi kompanitë e fokusuara në këtë rajon, sidomos skandinavët, janë zhvendosur në Durrës, aty ku kapacitetet dhe natyra e hotelerisë u shkon më për shtat me atë që kërkojnë”, – pohon Arben Çipa, nga Sipa Tours.
Polakët mbeten në krye të grupeve të organizuara, duke qenë pjesa kryesore e turistëve që qëndrojnë në rajonin e Durrësit dhe Kavajës.
Çekët janë një tjetër grup i organizuar, teksa këtë vit është shtuar edhe grupi i spanjollëve që po qëndrojnë te hotelet Melia në Gjirin e Lalëzit. Për herë të parë kjo kategori turistësh vjen e organizuar në vend. Tendenca e turistëve individualë nga Spanja ka nisur prej dy vitesh duke qëndruar kryesisht në Jug.
Operatorët e strukturave akomoduese raportojnë se këtë vit, rritja në zonën e Durrësit dhe Kavajës është mesatarisht mes 10-15% dhe kjo ka të bëjë më shumë me kostot e shtuara që lidhen me krahun e punës. Çmimet variojnë nga 35 euro në mbi 180 euro/nata.
Sipas tyre, këtë vit ka qenë sfiduese gjetja e stafit të kualifikuar, trajnimi intensiv i atyre të rinj si një formë për t’ju përgjigjur shërbimit të kërkuar.
Sigurisht shërbimi këtë vit, sipas tyre, parashikohet të jetë një sprovë dhe angazhimi është maksimal për të fituar pikët e humbura që bënë që një vit më parë, nordikët të tërhiqeshin nga kontratat me garanci.
Referuar të dhënave të marra nga terreni, si dhe bisedat me operatorët, rezulton se çmimet mesatare të ulëta nuk kanë shënuar rritje duke mbetur mes 35 eurove/nata ndërkohë që ka një rritje tek çmimet e mesatare të larta, ku në disa raste arrijnë deri në 30%.
Këto hasen në hotele të standardit të lartë, ku rritja e pagave, kostot e energjisë, zhvlerësimi i euros dhe rritja e kërkesës e kanë bërë të nevojshëm rishikimin e çmimit.
Durrësi e Kavaja
Operatorët e strukturave akomoduese raportojnë se këtë vit, rritja në zonën e Durrësit dhe Kavajës është mesatarisht mes 10-15% dhe kjo ka të bëjë më shumë me kostot e shtuara që lidhen me krahun e punës. Çmimet variojnë nga 35 euro në mbi 180 euro/nata.
Ksamili, “imazhi” ndërkombëtar i Shqipërisë turistike, Saranda rritje të kërkesës
Nëse të duhet të kërkosh në Instagram me hashtagun #Albania dhe të zgjedhësh opsionin e postimeve më të reja, ajo që mund të hasësh më shpesh për bregdetin është rëra e bardhë dhe peizazhet magjepsëse të Ksamilit në Jug të vendit. Saranda është gjithashtu pjesë e çdo postimi nga të huajt, vizitorë individualë, disa prej të cilëve bloger ndërkombëtarë, që kanë me mijëra e deri në disa miliona ndjekës.
Këto dy qendra që janë sa të bashkuara aq edhe të ndara në atë që ofrojnë, janë kthyer në “imazhin” ndërkombëtar të Shqipërisë turistike këtë vit.
Rritja e kërkesës ka bërë që në Ksamil, çmimet për strukturat ekonomike, pra mesatarja e ulët të shënojë rritje me 10%, ndërkohë që për strukturat me çmime mesatarisht të larta, ka shënuar rritje me 15%. Për Sarandën ka një rritje të dukshme të kapaciteteve akomoduese sidomos në segmentin e apartamenteve dhe që preferohen kryesisht nga italianët.
“Në gjithë territorin e Sarandës nuk ka më asnjë apartament apo shtëpi të mbyllur që është jofunksionale. Të gjitha janë bërë funksionale, si në rrugën e parë pas Shëtitores, edhe në rrugën 5 të saj.
Kjo tregon se kemi një rritje të dukshme të turistëve, të cilët plotësojnë të paktën 90% të hoteleve, por edhe të kapaciteteve të tjera, siç janë apartamentet. Janë bërë investime serioze për të përballuar këtë fluks në rritje dhe për të ofruar shërbim në një moment kaq të mirë për turizmin në vend”, – pohon z. Çipa.
Në lidhje me çmimet, mesatarja e ulët e çmimeve mbetet e njëjtë me një vit më parë, e lidhur kjo me kapacitetet në rritje, ndërkohë çmimet mesatare të larta kanë sjellë një rritje që nis nga 5% dhe në disa raste mund të shkojë edhe më shumë. Çmimet variojnë nga 50 euro në mbi 160 euro/nata.
Saranda
Mesatarja e ulët e çmimeve mbetet e njëjtë me një vit më parë, e lidhur kjo me kapacitetet në rritje, ndërkohë çmimet mesatare të larta kanë sjellë një rritje që nis nga 5% dhe në disa raste mund të shkojë edhe më shumë. Çmimet variojnë nga 50 euro në mbi 160 euro/nata.
Fshatrat turistikë të bregdetit, shtohen vilat që hapin dyert për turistët
Nga Palasa e deri në Lukovë, numri i strukturave në Booking si mundësi akomodimi ka ardhur në rritje. Janë vila apo shtëpi të thjeshta të përshtatura për akomodim, të cilat shoqërohen me zhargonin “New to Booking” (të reja në Booking), që kanë hapur dyert për të përfituar nga bumi turistik që po përjeton vendi.
Mund të gjesh shtëpi që nisin nga 180 euro për një javë, por larg nga plazhet, e deri në vila që ofrohen për 2400 euro për një javë.
Teksa Dhërmiu, Vunoi, Palasa e nisën këtë tranzicion të banesave në struktura disa vite më parë, tendenca po përfshin masivisht çdo fshat të bregdetit.
Borshi dhe Qeparoi duket se janë aktualisht dy prej atyre që po shënojnë edhe rritjen më të dukshme të frekuentimit. I gjithë rajoni i Jugut vijon të jetë sipas operatorëve një kantier i hapur ku punohet si nga biznesi, edhe në projekte infrastrukturë. Këtë vit, sipas operatorëve, tendenca e çmimeve në akomodim në fshatra turistikë ka ardhur për dy arsye.
Në njërën anë qëndron rritja e kapacitetit të akomodimit në fshatra turistikë, jo vetëm në vila, por edhe në struktura të reja hotelesh dhe në anën tjetër, “braktisja” e disa zonave specifike, për shkak të anatemimit publik që ndodhi në rrjetet sociale dy vitet e fundit.
Ky stabilitet çmimesh duket se i ka shërbyer pozitivisht, duke rikthyer në këto rajone pushuesit vendas me të ardhura mesatare, diasporën tonë dhe atë të Kosovës si dhe turistët europianë perëndimorë, kryesisht çifte dhe të rinj.
Shtëpitë e vilat në Jug
Mund të gjesh shtëpi që nisin nga 180 euro për një javë, por larg nga plazhet, e deri në vila që ofrohen për 2400 euro për një javë. Teksa Dhërmiu, Vunoi, Palasa e nisën këtë tranzicion të banesave në struktura disa vite më parë, tendenca po përfshin masivisht çdo fshat të bregdetit.
Vlora, qendra ku takohen të gjithë, si në kosto, edhe në kategori
Vlora duket se është qyteti që i mbledh të gjithë, duke ofruar një variacion më të gjerë në akomodim dhe në mundësitë për të ngrënë më lirë në restorante apo për të bërë plazhin gjatë ditës.
Duke pasur një profil kryesisht familjar, investimet që janë bërë në disa struktura që kanë orientim më luksoz, si dhe prania e marinës së jahteve ka bërë që profili i turistit që has në qytet të jetë i larmishëm.
Sipas strukturave akomoduese, këtu mund të gjesh një pjesë të mirë të vendasve që zgjedhin historikisht plazhet familjare të rajonit, një numër jo të vogël të shqiptarëve të Kosovës dhe grupe të huajsh si italianët, spanjollët dhe anglezët.
“Surpriza e këtij viti janë spanjollët dhe anglezët. Ka pasur raste që kanë ardhur dhe më parë, por këtë vit është parë një rritje e numrit të tyre. Spanjollët janë kryesisht çifte të rinjsh që i pëlqen eksplorimi i plazheve të ndryshme, ndërsa anglezët janë kryesisht grupe shoqërie, vajzash ose djemsh.
Spanjollët zgjedhin kryesisht Lounget (një lloj lokali ku ofrohet muzikë, por edhe qëndrim më komod sesa në klub) dhe nuk janë shumë konsumatorë, ndërsa anglezët nuk pyesin se sa konsumojnë kur bëhet fjalë për të pirë dhe festa.
I gjen në radhët e para të festave, por e rëndësishme është që nuk krijojnë probleme, ndryshe nga fotot që shikojmë në internet me rrëmujat në vendin e tyre”, – pohon Enrik Mehmeti, gazetar dhe njohës i mirë i sektorit.
Çmimet kanë ndryshuar kryesisht te hotelet mesatare e me çmim të ulët që llogariten në 15% më shtrenjtë, ndërsa rritja e çmimeve në disa struktura të tjera, por edhe shtimi i numrit të atyre të reja të hyra në funksion ka balancuar pjesën e mesatares së lartë.
Për segmentin e shtrenjtë të strukturave, rritja e çmimeve arrin deri në 30%. Mesatarisht çmimet luhate nga 40 në 200 euro/nata.
Vlora
Çmimet kanë ndryshuar kryesisht te hotelet mesatare e me çmim të ulët që llogariten në 15% më shtrenjtë, ndërsa rritja e çmimeve në disa struktura të tjera, por edhe shtimi i numrit të atyre të reja të hyra në funksion ka balancuar pjesën e mesatares së lartë. Për segmentin e shtrenjtë të strukturave, rritja e çmimeve arrin deri në 30%. Mesatarisht çmimet luhate nga 40 në 200 euro/nata./monitor