Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj nismës më të fundit të qeverisë, të cilën ajo e cilëson “amnisti fiskale të maskuar” nën emrin “Paqe Fiskale”. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku paralajmëron se kjo nismë jo vetëm që është e dëmshme për ekonominë dhe buxhetin e shtetit, por përbën edhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj zbatimit të ligjit dhe paguesve të ndershëm të taksave.
Sipas saj, janë akumuluar rreth 1.7 miliardë euro borxhe ndaj tatimeve gjatë 15 viteve të fundit, përfshirë rreth 200 mijë debitorë. Por Tabaku ngre pikëpyetjen kryesore: “A janë këta vërtet përfituesit e amnistisë, apo ka dhe të tjerë? A do të ketë qeveria kurajën të publikojë listën?”
Ajo e quan nismën një legalizim të hapur të aktivitetit informal dhe madje të pastrimit të parave, duke theksuar se këto politika dekurajojnë pagimin e taksave në të ardhmen dhe dëmtojnë konkurrencën e ndershme.
Tabaku e cilëson edhe më shqetësues elementin e ri të propozuar nga qeveria: bizneset, sipas draftit, do të detyrohen të negociojnë me Drejtorinë e Tatimeve taksat e së ardhmes. “Kjo i kthen taksat në marrëveshje individuale, pa qartësi ligjore dhe pa barazi para ligjit,” – thekson ajo, duke e quajtur këtë praktikë “rrezikun më të madh për ekonominë dhe mjedisin e biznesit”.
Kryetarja demokrate shprehet se kjo politikë e re i shton presionin mbi bizneset dhe i lë ato të pambrojtura ndaj abuzimeve të pushtetit, ndërsa cenon stabilitetin fiskal të vendit.
