Tabaku: Paqja fiskale, një aventurë me risk për integrimin

Pas ekspertëve, edhe opozita ka shprehur shqetësim lidhur me nismën për paqen fiskale. Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka vënë në dijeni strukturat e Bashkimit Europian lidhur me rrezikun që mbart një nismë e tillë.

Gjatë një interviste për emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus, Tabaku evidentoi dy rreziqet e këtij ligji.

“Dy janë rreziqet potenciale. Fillimisht do të fshihen detyrimet e papaguara për ata që kanë abuzuar me ligjin ndër vite. Kjo do të ndodhë duke mos ofruar transparencën e nevojshme se kush janë këto subjekte që do të përfitojnë. Ky rrezik krijon potencial për të dekurajuar dhe për të prodhuar pabarazi në treg.

Ndërsa rreziku i dytë lidhet me potencialin për të pastruar para. Opsioni që u jepet biznesve për të deklaruar më shumë fitim apo për të riparë bilancet në korrigjim, dhe për t’i tatuar çdo para shtesë me një normë 5%, pa e shoqëruar me një dokumentacion, janë rrezik potencial për të legalizuar para informale, që vijnë nga korrupsioni apo krimi i organizuar”, – tha Jorida Tabaku.

Por cili do të jetë qëndrimi i opozitës ndaj kësaj nisme?

“Ne do të presim edhe seancën e radhës parlamentare, ku pritet të miratohet nen për nen paketa dhe buxhetit i vitit 2026. Ajo që mund të them është se, ne do të ezaurojmë çdo hallkë ankimimi, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, sa i përket paqes fiskale”, – përfundoi Tabaku.

Në 11 dhjetor Kuvendi pritet t’i “vërë” vulën buxhetit dhe paketës fiskale. Edhe mes radhëve të mazhorancës ka debate lidhur me nismën e paqes fiskale. Ndaj mbetet për tu parë vendimi final në Kuvend lidhur me miratimin e kësaj nisme.


Shtuar 7.12.2025 21:23