Tabaku: Erion Veliaj me ato që ka bërë me korrupsionin, me pastrimin e parave dhe skema të tjera ka ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve

Gjatë një interviste në ‘Kafe Shqeto’, kandidatja për deputete në zgjedhjet e 11 majit për Qarkun e Tiranës nga PD, tha se Veliaj është i përfshirë në skema të korrupsionit dhe pastrimit të parave, duke përdorur fonde të bashkisë për përfitime personale dhe për të mbajtur në këmbë makineritë elektorale.

Sipas Tabakut, ky abuzim me burimet publike ka ndikuar drejtpërdrejt në manipulimin e rezultateve zgjedhore, gjatë proceseve të kaluara dhe në favorizimin e individëve të lidhur ngushtë me pushtetin.

Ajo kërkoi që ata që janë të përfshirë në këto veprime të dalin para drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Jorida Tabaku: “Erion Veliaj me atë që ka bërë, me korrupsionin, me pastrimin e parave, sepse tashmë është ekspozuar vetëm një pjesë se si përdoren këto para për përfitime personale të tij, për gjëra shumë të ngushta familjare.

Ndërkohë, makineria elektorale e tij ka ndryshuar rezultatin dhe ajo që ka ndodhur me 5D është e pakonceptueshme. Janë të gjithë në burg, ata, dhe në fakt duhet të ishin dhe të tjerë në burg për këtë çështje.

Ato janë një pjesë e makinerisë elektorale, ashtu si ajo skema e 5D, që janë drejtorët e bashkisë. Të gjithë duhet të shkojnë pas hekurave dhe ka dhe të tjerë që duhet të shkojnë. Jo vetëm për 5D, por edhe për lejen e ndërtimit, për prishjen e Teatrit të Tiranës dhe skema të tjera të tilla që ai i ka mbajtur në këmbë me njerëz që i furnizonte dhe i financonte me fondet e bashkisë, që punonin si makineri elektorale, si zotëria që përmend ti dhe shumë të tjerë që janë përpara drejtësisë.

Unë besoj se sot ai ka një avantazh për njerëzit, për të shprehur vullnetin e tyre të lirë.

Ato që ka bërë Bashkia e Tiranës, pagesat, legalizimet, shpërblimet, strehimet, lejet e ndërtimit, favoret që nuk janë sot në terren, janë një hapësirë e favorshme për qytetarët e Tiranës për të votuar përmes votës së lirë dhe për të mos pasur makinerinë elektorale në terren”.


Shtuar 19.03.2025 10:46