“Ta heqin flamurin e Shqipërisë nga varrezat”, Bekim Jashari i reagon Nexhmedin Spahiut

Pas deklaratave të analistit Nexhmedin Spahiu në emisionin “Pressing” në T7, ku ai foli për mundësinë që Murat Jashari të jetë kandidat rezervë për postin e presidentit të Kosovës, duke e kushtëzuar këtë me “kalimin nga flamuri kuq e zi në flamurin e Kosovës”, ka reaguar Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jashari.

Ai ka publikuar një fotografi ku shihet ai bashkë me Besarta Jasharin, të shoqëruar me një mesazh.

“Amanet na e lanë të parët, brez pas brezi e djalë pas djali.

Me gjakun dhe sakrificën e tyre u rritëm ne, për të ta mbajtur lart me krenari.

Valo, o flamuri më i bukur në botë,” ka shkruar Bekim Jashari.

Ky reagim vjen pas deklaratës së Spahiut, i cili tha se Murat Jashari, për t’u zgjedhur president, do të duhej të merrte “aprovim amerikan” dhe të distancohej nga simbolika e flamurit kuq e zi, duke theksuar se në varrezat e heronjve të Kosovës duhet të valojë vetëm flamuri i Kosovës.

“Albini ka edhe variante rezervë, e ka për shembull Murat Jasharin, mirëpo Murati për me u zgjedh president duhet me marrë një leje amerikane siç e ka marrë Albin Kurti para se me u bë kryeministër, kushti që e ka pas Albin Kurti nga kuq e zi me kalu në verdh e kaltër, edhe Murat Jashari për me u bë president duhet me kalu verdh e kaltërt, jo në varreza të kryeheronjëve të Kosovës valon flamuri i Shqipërisë, jo i Kosovës”, tha Spahiu.


Shtuar 7.01.2026 11:05