Nga rruga kryesore deri tek Syri i Kaltër turistët duhet të ecin rreth 1.5 km në këmbë. Automjetet nuk lejohen të hyjnë më në Park. Vizitorët e huaj me aftësi të kufizuar të lodhur nga ecja dhe vapa thonë se zyrtarët duhet të mendojë për transport alternativ.
Sic duket dhe nga pamjet për të mbërritur në destinacion është stërmundim i madh për prindër me fëmijë të vegjël, për të moshuar dhe për persona me aftësi të kufizuara si ky shtetas francez, që nuk ishte përgatitur të ecte në vapë kaq gjatë.
Teksa lëviz me ndihmën e patericës, ai thotë se nuk gjeti mirëkuptim për shkuar tek Syri i Kaltër me makinë.
“U tregova për paaftësine time dhe refuzuan që të hyja me mjet këtu. Do ti shkruaj kryeministrit, ministres të kulturës, të japin një shpjegim sesi do të hyjnë personat me paaftësi si unë. M’u desh të bëja 2 km për të ardhur e 2 km për të ikur me patericë. Duhet të organizojnë transport për të paaftët që nga hyrja e deri në vend. Kam ardhur nga Franca të vizitoj Shqipërinë. Ne po investojmë për Shqipërinë, po Shqipëria pse nuk investon për ne?!”, thotë ai.
Edhe dy turistë nga Spanja, sado që u kënaqën duke viztuar Syrin e Kaltër, kur u kthyen përmendën vështirësitë, që hasën gjatë rrugëtimit. Madje sugjerojnë disa mënyra transporti.
“Vend shumë i bukur, por është shumë e vështirë, shumë e dhimbshme të ngjitesh edhe të kthehesh sërish pa transport. Do të ishte shumë mirë një tren turistik, disa biçikleta ose patina diçka për të lehtësuar turistët. Hodha ujë në kokë sepse është shumë vapë. Është e vështirë për të ardhur te Syri i Kaltër, mbase për të rinjtë është më e lehtë”, thotë gruaja nga Spanja.
“Më duket shumë bukur këtu, mendoj se është një nga vendet më të bukurat në Shqipëri, nuk kam parë ujë aq të kthjellët në jetën time. Është super, super, super bukur, por ndihem i lodhur bën edhe shumë vapë, është rrugë e gjatë”, shton turisti spanjoll.
Ndërsa ky çift nga Gjermania mendon se duhet të kishte një rrugë alternative.
“Për të arritur deri tek Syri i Kaltër duhet të ishte një rrugë përmes pemëve. Duhet të ketë një mënyrë, që ti çoj turistët direkt tek Syri i Kaltër, për ata që nuk mund të ecin dot gjatë, për ata që duan të ecin asfalti është në rregull”, thonë ata.
Abc u interesua pranë Bashkisë së Finiqit. Kreu i saj Kristaq Kiço tha se çështjen e transportit do t’a diskutojnë sa më parë me Ministrinë e Turizmit dhe Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, pasi Parku ku ndodhet Syri i Kaltër administrohet nga pushteti qëndror.