Sveçla: Do të kërkojmë ekstradimin e Radoiçiçit dhe jo vetëm

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjskë.

Më 24 shtator, grupe të armatosura në këtë fshat të pjesës veriore të Kosovës sulmuan forcat policore të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiç, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Në intervistën dhënë REL-it, ministri Sveçla thotë se Radoiçiç nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai thotë se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

Sveçla flet edhe për përfshirjen e dyshuar ruse, si dhe për rreziqet e sigurisë që vazhdojnë t’i kanosen Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti ministër, Millan Radoiçiç ka pranuar sot [29 shtator] se ka organizuar sulmin në Banjskë. Si e komentoni këtë veprim të tijin dhe a mendoni se ka vepruar i vetëm në përgatitjen e sulmit, ashtu siç ka thënë?

Xhelal Sveçla: Absolutisht nuk është e vërtetë. Millan Radoiçiç e ka pranuar një fakt, pasi është dëshmuar pjesëmarrja e tij në këtë sulm terrorist. Por, të gjitha faktet tregojnë se Millan Radoiçiç nuk ka vepruar kokë më vete, nuk ka punuar vetë. Ai ka qenë në vazhdimësi i mbështetur nga [presidenti i Serbisë] Aleksandar Vuçiç, nga Qeveria e Serbisë dhe nga të gjitha instrumentet që ai shtet ka./REL


Shtuar 29.09.2023 22:02